AUV: “Aptamil AR 1” është i sigurt për konsum dhe lejohet sërish të shitet në treg

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar opinionin publik se Komisioni Evropian – Sistemi i Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) – ka bërë njoftimin e radhës lidhur me produktin ushqimor qumësht “Aptamil”.
Kjo agjenci, pas njoftimit të publikuar më herët për ndalimin e produktit “Aptamil AR 1”, ushqim për fëmijë, me numër loti 111444865, me datë skadimi 17.05.2026, prodhuar nga Nutricia Cuijk BV, Holandë dhe importuar nga kompania UNION SH.P.K., Vushtrri, ka njoftuar se “nga autoritetet kompetente të vendit të origjinës, Holandë, janë kryer ritestime shtesë në produktin ushqimor qumësht ‘Aptamil’ dhe është konfirmuar se analizat kanë rezultuar në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore dhe se produkti ‘Aptamil AR 1’ është vlerësuar i sigurt për konsum dhe lejohet sërish të shitet në treg”.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se ndalimi i përkohshëm i këtij produkti ishte masë parandaluese, e ndërmarrë për mbrojtjen e shëndetit publik”, shkroi AUV në njoftim.
Agjencia tha se do të vazhdojë të monitorojë me kujdes të shtuar situatën dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me bizneset që merren me importin dhe prodhimin e produkteve ushqimore për të siguruar ushqim të sigurt dhe në përputhje me standardet evropiane./Periskopi/
Qumështi APTAMIL për foshnja i kontaminuar me bakterin Bacillus Cereus, AUV jep detaje me vonesë
