Vdes këmbësori që u godit nga vetura para tri ditësh në Fushë-Kosovë

Ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) këmbësori që ishte aksidentuar nga një veturë më 22 dhjetor në Fushë-Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se aksidenti kishte ndodhur në rrugën “Shefki Kuleta”.
“Aksidenti ka ndodhur me datën 22 dhjetor në rrugën ‘Shefki Kuleta’ në Fushë Kosovë, ku kanë që të përfshirë një automjet dhe një këmbësor. Në aksident lëndime trupore ka pësuar këmbësori (mashkull), i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK, nga ku sot jemi njoftuar se i njëjti ka vdekur”, tha Ahmeti.
Ajo shtoi se rasti është duke u hetuar nga njësiti i trafikut rajonal në Prishtinë./Periskopi/
