Në krahun tjetër qëndrojnë edhe shqiptarët që zgjedhin të festojnë jashtë vendit, duke udhëtuar kryesisht drejt vendeve të Evropës Perëndimore, por nuk mungojnë as destinacionet e largëta azikatike e ekzotike.
Qytetarët e Kosovës besnik ndaj Shqipërisë edhe për Vitin e Ri

Periudha e festave të fundvitit gjen shumë turistë të huaj në Shqipëri për të festuar.
“Kemi disa tregje tradicionale, besnike, tregu i Kosovës, bullgar, maqedonas dhe kohët e fundit dhe ai Italian. Këto janë tregje që ka kërkesa dhe rezervime për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, por sidomos për Vitin e Ri. Kjo është periudhë dimri dhe nuk krahasohet me verën. Në këtë periudhë vijnë për 3-4 ditë, deri në 5 netë, kryesisht për Vitin e Ri. Ka Tirana që tashmë është bërë destinacion gjithëvjetor, Durrësi që zgjidhet për hotelet e mëdha, ka Vlora, Saranda, Shkodra, por edhe destinacionet malore si Thethi dhe Valbona”, tha Rrahman Kasa, nga Unioni Turistik Shqiptar, raporton vizionplus, transmeton Periskopi.
“Më së shumti janë turistë, por edhe shqiptarë të disaporës që vijnë për të kaluar pushimet me familjen e tyre. Çmimi është thuajse i njëjtë me nivelin e vjetshëm. Kush vjen nga vendet e Lindjes i duket disi shtrenjtë dhe kërkon të negociojnë. Ndërsa ata nga vendet e Perëndimit ju duket lirë, me 200 euro kalon 3 ditë shumë të mira një person në Tiranë”, deklaroi Erti Memoxhi, pronar bujtine.
Arsyet që i shtyjnë të huajt të vijnë në vendin tonë për festa janë çmimet që ofrohen por edhe shijet e kuzhinës shqiptare.
“Vijnë për disa arsye, për klimën e butë, për shijen e kulinarisë shqiptare, e cila është e preferuar, vijnë edhe për çmimet sepse nëse do të shkosh në Itali në një hotel të mirë me 3-4 yje do të paguash një çmim vetëm për natën e Vitit të Ri 300-350 euro, ndërsa këtu një kuotë e tillë shkon për të gjithë pjesën e akomodimit, përfshirë edhe natën e Vitit të Ri”, shtoi Kasa.
