KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, s’ka telashe

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se procesi i votimit ka nisur në gjithë Kosovën, pa asnjë telashe.
“Iu njoftojmë se në orët e hershme të mëngjesit, materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë në të gjitha qendrat e votimit. Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Sot procesi i votimit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit. Numri i qytetarëvee me të drejtë vote është 1 milion e 999 mijë, që janë shpërndarë në 38 komuna”, tha Elezi në një konferencë për media.
Numri i subjekteve politike të certifikuara është 24 subjekte: 18 parti, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Elezi foli edhe për rezultatet.
“Sa i përket rezultateve, sipas Ligjit, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve bëhet në vendvotime, kurse votat e kandidatëve, numërimi bëhet në qendrat komunale të numërimit. KQZ-ja ka bërë përgatitjet që gjatë ditës së sotme të transmetojë të dhënat në disa orare të ndryshme, dhe në mbrëmje transmetimin e rezultateve. Në bazë të përgatitjeve që janë bërë, besojmë se para orës 20:00 do të fillojmë me rezultatet e para”, tha ai.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i votuesve është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues, derisa brenda territorit të vendit 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë, kurse jashtë saj 77 mijë e 86 votues.
