Siria prezanton kartëmonedha të reja, heqin imazhet e al-Assadit

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, zbuloi kartëmonedhat e reja të vendit në një ceremoni në Damask të hënën, duke hequr imazhet e udhëheqësit të rrëzuar Bashar al-Assad dhe babait të tij Hafez al-Assad, në një ndarje simbolike me të kaluarën.
Monedha e re, e cila hyn në qarkullim më 1 janar, përmban prerje 10, 25, 50, 100, 200 dhe 500 funte siriane pas heqjes së dy zerove nga kartëmonedhat ekzistuese, transmeton Telegrafi.
Kartmonedhat e ridizajnuara shfaqin simbole bujqësore, duke përfshirë trëndafila, grurë, ullinj, portokallë dhe manash për të cilat njihet Siria, duke zëvendësuar imazhet politike.
Al-Shara tha se monedha e re shënon “fundin e një faze të mëparshme, dhe fillimin e një faze të re që populli sirian aspiron”, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Sirisë, SANA.
“Dizajni i ri i monedhës është një shprehje e identitetit të ri kombëtar dhe një largim nga nderimi i individëve”, shtoi ai.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Abdul Qader Hosriya njoftoi se procesi i këmbimit valutor do të përfundojë brenda 90 ditëve, me një zgjatje të mundshme.
Një dekret presidencial i vitit 2025 i jep bankës qendrore autoritetin për të përcaktuar afatet dhe vendet për këmbimin e kartëmonedhave të vjetra.
Al-Sharaa theksoi se heqja e zeros nga kartëmonedhat do të lehtësojë transaksionet ditore, por në vetvete nuk do të thotë rimëkëmbje ekonomike, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“Ndryshimi i zeros dhe heqja e dy zeros nga monedha e vjetër në monedhën e re nuk do të thotë përmirësim i ekonomisë, por përkundrazi është më e lehtë të merresh me monedhën”, tha ai.
“Përmirësimi i ekonomisë varet nga rritja e shkallës së prodhimit dhe ulja e shkallës së papunësisë në Siri, dhe një nga bazat e arritjes së rritjes ekonomike është përmirësimi i situatës bankare sepse bankat janë si arterie për ekonominë”, shtoi ai.
Ai theksoi se faza e tranzicionit është “e ndjeshme” dhe “delikate”, duke i kërkuar publikut të qëndrojë i qetë dhe të shmangë nxitimin për të shkëmbyer kartëmonedha të vjetra. /Periskopi/
