Hajdutët thyejnë murin me “hillt”, vjedhin rreth 30 milionë euro nga një bankë në Gjermani

Hajdutët thyejnë murin me “hillt”, vjedhin rreth 30 milionë euro nga një bankë në Gjermani

Hajdutë të panjohur kanë përdorur një shpues të madh për të depërtuar në kasafortën e një dege bankare në perëndim të Gjermanisë, duke vjedhur rreth 30 milionë euro në para të gatshme dhe sende me vlerë, kanë njoftuar autoritetet policore.

Zëdhënësi i policisë e krahasoi grabitjen me filmin e famshëm të Hollivudit “Ocean’s Eleven”, duke i thënë agjencisë AFP se ishte “e realizuar në mënyrë shumë profesionale”.

Ngjarja ka ndodhur në bankën e kursimeve “Sparkasse”, në qytetin Gelsenkirchen, ku hajdutët kanë hapur me forcë mbi 3.000 kuti sigurie që përmbanin para, ar dhe bizhuteri.

Policia e Gelsenkirchenit bëri të ditur se për grabitjen u njoftua pasi një alarm zjarri u aktivizua në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.

Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person dhe autorët mbeten ende në arrati. Sipas policisë, grabitësit kanë shfrytëzuar “ditët e qeta të Krishtlindjeve” për të kryer vjedhjen në ndërtesën e bankës.

Hetimet paraprake thonë se ata kanë hyrë dhe janë larguar nga banka përmes një garazhi ngjitur me objektin. Dëshmitarë kanë raportuar se gjatë natës nga e shtuna në të dielën kanë parë disa burra duke mbajtur çanta të mëdha në shkallët e garazhit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv..

Foto: Google

Policia ka bërë të ditur se pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë një automjet të zi Audi RS 6 duke u larguar nga garazhi në rrugën De-La-Chevallerie-Strasse, në orët e para të mëngjesit të së hënës.

Klientëve të prekur u është kërkuar të kontaktojnë bankën “Sparkasse”, e cila ka hapur një linjë telefonike të posaçme.

“Sparkasse” njoftoi se rreth 95 për qind e kutive të sigurisë së klientëve janë hapur me forcë nga hajdutët, ndaj gjasat që klientët të jenë prekur janë “shumë të larta”. Banka shtoi se përmbajtja e çdo kutie është e siguruar deri në 10.300 euro dhe u bëri thirrje klientëve të verifikojnë nëse kanë mbulim shtesë përmes sigurimit të banesës./Periskopi

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti