Festë me qirinj? Dimri sfidon sistemin energjetik të Kosovës

Festë me qirinj? Dimri sfidon sistemin energjetik të Kosovës

Viti i Ri mund t’i gjejë disa zona të Kosovës në terr.

Ky shqetësim është ngritur nga njohës të ekonomisë, por edhe nga banorë të disa komunave, ku tash e disa javë kanë raportuar se reduktimet e rrymës janë të shpeshta dhe mjaft të gjata.

Ekspertja e ekonomisë, Janina Ymeri në një prononcim për Klankosova.tv tha se mundësitë për të pritur ndërrimin e motmoteve në errësirë, janë të mëdha për disa zona rurale të Kosovës.

“Në disa zona mendoj se mundësitë janë të mëdha për festë në errësirë, nga ankesat që pranoj, po afektohen zonat rurale më shumë sesa Prishtina. Por nuk mendoj që ka me pasë mungesë të plotë të energjisë elektrike”.

Se a është realisht vendi i përgatitur të përballojë kërkesën e rritur për energji elektrike gjatë fundvitit, Ymeri thotë se Kosova s’është aspak e përgatitur për këtë dukuri.

“Kosova nuk është fare e përgatitur të përballojë ngarkesën e rritur. Ka dy mënyra, rritje importi që medoemos duhet të paguhet nga qeveria ose faturat tona, me konfirmimin e ZRrE-së për rishikimin e tarifave për rishikim të tarifave, gjashta janë që do të na ngarkohet neve importi, ose-ose, reduktime të konsiderueshme rryme”, tha ajo.

Për këtë fenomen, Ymeri thotë se duhet të mbajë përgjegjësi Qeveria e Kosovës, gjegjësisht ministria e Ekonomisë dhe ZRrE.

“Duhet mbajtur përgjegjës, Qeveria e Kosovës, gjegjësisht Ministria e Ekonomisë edhe ZRrE”, u shpreh ekonomistja.

Ajo përmendi edhe dështimet e institucioneve në raport me këtë situatë.

“Dështimet e institucioneve kanë qenë zinxhir që nga viti 2021, po në këtë vit përfshihet mungesa e planit nga ZRrE, mungesa e investimeve që duhet të shkonin përpara me punën e ME-se, prishja e imazhit të Kosovës nga Qeveria Kurti e që ndikon edhe në investime të energjisë elektrike, menaxhimi i KEK”, theksoi Ymeri.

E me një Qeveri të Vetëvendosjes, Ymeri tha se në vitin 2026 pritet rritje e faturave të rrymës, dh gjendje e njëjtë si në vitin që po lëmë pas.

“Me qeveri të VV ose VV me koalicion pres rritje të faturave të energjisë elektrike dhe gjendje të ngjashme”.

Nga ana tjetër, në Klan Kosova, analisti Dardan Sejdiu pati deklaruar se çdo dimër, Kosova përballet me temën e rrymës, si shkak i mungesës së saj.

“Çështja e rrymës për ne, fatkeqësisht është diskutim teknik, nuk është diskutim zhvillimor. Ne nuk e trajtojmë rrymën dhe energjinë prej një diskutimi të mungesës së energjisë, shtrenjtimit të rrymës, por nuk e shohim kurrsesi si një infrastrukturë të domosdoshme, si parakusht për zhvillim. Në këtë drejtim, çdo dimër ne merremi me temën e rrymës”, thoshte Sejdiu.

Pos tjerash, Sejdiu pati deklaruar se Kosovës i mungojnë kapacitetet për të kursyer energji elektrike dhe kapacitetet gjeneruese.

“Faktet janë këto: Një, e para dhe më e rëndësishmja, është se kapacitete të reja gjeneruese nuk ka. E dyta: një burim gjenerimi janë edhe kursimet. Një pjesë e madhe e energjisë që prodhohet në dimër shkon për ngrohje, pra diku rreth 20% është e kalkulimit që ne e humbin në ngrohje. Pse? Sepse për pesë vjet nuk është ndërmarrë asnjë hap përveç Termokosit në Prishtinë, për të ndërtuar kapacitete, që do kishin mundësuar me kursy rrymën. E treta:86% të konsumit tonë vjetor e prodhojmë vetë. Çka ndodh? Ndodh dimri. Ne përfundojmë në pikun e çmimit, dhe detyrohemi me ble”, kishte thënë ai.

Alarmin se vendi do të mbes në terr gjatë vitit 2026, e kishte ngritur analisti Ilir Ibrahimi.

Ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, kishte theksuar se nëse në janar nuk ka ndërhyrje emergjente nga Qeveria, atëherë sipas tij, vendi do të mbetet në terr.

“Nëse nuk intervenon Qeveria dhe ajo e di këtë, janë bërë kërkesa të vazhdueshme ndaj Qeverisë, sepse është para një krize, para një kolapsi. Pra, në janar nëse nuk ka një ndërhyrje emergjente nga Qeveria ne do të mbesim në terr”, kishte deklaruar analisti.

Nga ana tjetër, KEDS, i kontaktuar nga Klankosova.tv ka bërë të ditur se për një festë plot dritë, janë ndërmarrë masat e nevojshme, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik.

“Janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu, nga KEDS thanë se po ndërmerren veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm.

Sipas tyre, natën e fundit të vitit 2025, parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë.

Ndërkohë vendet më të afektuara, sipas KEDS mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjani, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit.

Nga kjo korporatë u bë e ditur se më 29 dhjetor në ora 23:00 është arritur piku me i lartë në nivelin e shpërndarjes me një vlere prej 1418 MW, e cila e tregon një rritje prej 7.5% nëse krahasohet me vitin e kaluar./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti