FBI thotë se ka parandaluar një sulm terrorist të planifikuar për natën e Vitit të Ri në Karolinën e Veriut

FBI të premten ka thënë të premten se ka parandaluar një komplot të dyshuar për të kryer një sulm terrorist natën e Vitit të Ri në një dyqan ushqimor dhe një restorant në Karolinën e Veriut, në mbështetje të Shtetit Islamik (IS).
Christian Sturdivant, 18 vjeç, nga Mint Hill – një qytet pranë Charlotte – u arrestua më 31 dhjetor, teksa po lirohej nga një strukturë e posaçme mjekësore. Ai u akuzua për përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për një organizatë terroriste të huaj, tha prokurori amerikan për distriktin perëndimor të Karolinës së Veriut, Russ Ferguson, në një konferencë për shtyp të premten në mëngjes, raporton The Guardian.
Hetuesit besojnë se Sturdivant, shtetas amerikan, e kishte planifikuar sulmin për rreth një vit, pasi një kontroll në shtëpinë e tij më 29 dhjetor zbuloi thika dhe çekiça nën shtratin e tij, si edhe shënime të detajuara mbi masakrën e planifikuar. Ferguson tha se shënimet e të dyshuarit tregonin se ai donte të shënjestronte hebrenj, të krishterë dhe individë LGBTQ+, dhe se planifikonte të vdiste si “martir” duke sulmuar oficerët e policisë që do të mbërrinin në vendngjarje.
Autoritetet thanë se radikalizimi i Sturdivant kishte ndodhur online, në faqe të internetit të IS-it, dhe se ai ishte identifikuar si mbajtës i një llogarie në TikTok që kishte bërë disa postime në mbështetje të organizatës së shpallur terroriste. Më pas ai kontaktoi për të dhënë betimin e besnikërisë në një faqe të IS-it, pa e ditur se po e bënte këtë me një agjent të fshehtë të Departamentit të Policisë së Nju Jorkut.
Me atë agjent, të cilin Sturdivant e besonte si një anëtar të ISIS-it, ai komunikoi në disa platforma të mediave sociale dhe zbuloi synimin e tij për të kryer sulmin natën e Vitit të Ri. Gjatë muajit dhjetor, ai dërgoi një foto të dy çekiçëve dhe një thike, një mesazh zanor me betimin e besnikërisë dhe një mesazh ku kërkonte ndihmë për të siguruar armë zjarri për t’i përdorur në sulm, tha agjenti special i FBI-së, James Barnacle. Ai gjithashtu tregoi dyqanin ushqimor që donte të shënjestronte – autoritetet nuk e bënë publik emrin e objektit në këtë fazë.
Barnacle, i cili drejton zyrën e FBI-së në Charlotte, tha në konferencën për shtyp se Sturdivant ishte i njohur për FBI-në që nga viti 2022, kur, në moshën 14-vjeçare, u zbulua se ishte në kontakt përmes mediave sociale me një anëtar të paidentifikuar të IS-it jashtë vendit. Ai person i kishte thënë të vishej me të zeza dhe të trokiste në dyert e njerëzve për t’i sulmuar me çekiç, tha Barnacle, por familja e Sturdivant kishte ndërhyrë.
Në atë kohë nuk u ngritën akuza, tha Barnacle, dhe Sturdivant u referua për kujdes psikologjik dhe u largua nga mediat sociale. FBI-ja më pas e mbylli atë hetim.
Sturdivant pati paraqitjen e tij të parë në gjykatë të premten në mëngjes dhe mbetet në paraburgim federal. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me një dënim maksimal ligjor prej 20 vitesh burg federal, thanë prokurorët./Express/
