KQZ: Po vazhdon numërimi i votave nga diaspora, mbi 27 mijë zarfe të aprovuara për numërim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas KQZ-së, aktualisht janë duke u numëruar fletëvotimet e 10 vendvotimeve të fundit nga gjithsej 40, ku është zhvilluar votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. Procesi i votimit u mbajt më 27 dhjetor 2025 në 29 përfaqësi diplomatike, të shpërndara në 18 shtete të ndryshme.
Nga 19,187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16,165 qytetarë, që përbën 84.24 për qind të pjesëmarrjes. Këto fletëvotime janë aktualisht në proces numërimi.
KQZ ka bërë të ditur se pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, pasditen e së shtunës do të fillojë edhe numërimi i votave të ardhura përmes postës, të cilat tashmë janë sjellë në Kosovë.
Nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë vendit, në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28,500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Pas verifikimit, 27,600 zarfe janë aprovuar për numërim, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar. Arsyeja kryesore e refuzimit, sipas KQZ-së, ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit brenda pakos.
Në votimin përmes postës kanë qenë të regjistruar rreth 58 mijë shtetas, ndërsa numri i saktë i votuesve që kanë ushtruar të drejtën e votës do të bëhet i ditur pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare.
