Përveç ndikimit në fertilitet, është e rëndësishme që gjinekologu të përjashtojë edhe probleme më serioze, si kanceri edhe pse kjo ndodh rrallë.

4. Menstruacione shumë të bollshme

Nëse keni nevojë të ndërroni më shumë se një pecetë ose tampon brenda një ore, nëse vëreni koagula të mëdha gjaku ose nëse gjakderdhja zgjat më shumë se 7 ditë, menstruacionet tuaja konsiderohen jashtëzakonisht të bollshme.

“Kjo mund të jetë shenjë e miomave të mitrës”, thotë Marsi F. Maguire, endokrinologe riprodhuese. Menstruacionet e bollshme lidhen gjithashtu me çrregullime të koagulimit të gjakut ose me anomali hormonale.

Miomat mund të zvogëlohen ose të hiqen nëse pengojnë shtatzëninë, ndërsa çrregullimet e gjakut trajtohen me terapi medikamentoze.

5. Dhimbje në legen

Dhimbjet e forta, krampet gjatë ciklit ose dhimbja pas marrëdhënieve intime mund të jenë shenjë e endometriozës.

“Në endometriozë, indi që normalisht vesh brendësinë e mitrës gjendet jashtë saj, në legen”, shpjegon dr. Maguire. “Kjo gjendje mund të shkaktojë formimin e indeve mbresore, ulje të fertilitetit dhe rritje të rrezikut për shtatzëni jashtë mitre.”

Nëse dhimbjet shoqërohen me temperaturë dhe sekrecione jonormale, mund të bëhet fjalë për infeksion të legenit, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në bllokim të tubave fallopiane.

6. Cikle shumë të shkurtra dhe gjakderdhje e lehtë

Nëse ciklet tuaja janë vazhdimisht më të shkurtra se 18 ditë, mund të mos ovuloni ose të mos prodhoni mjaftueshëm progesteron për të mbështetur një shtatzëni. Mjeku mund të kryejë analiza hormonale për të vlerësuar situatën.

Kur duhet të kërkoni ndihmë?

Nëse pas një viti marrëdhëniesh seksuale të pambrojtura nuk keni arritur shtatzëni, ose pas 6 muajsh nëse jeni 35 vjeç e lart, rekomandohet të drejtoheni te gjinekologu.

Gjithashtu, çdo simptomë si:

  • menstruacione të parregullta,
  • mungesë e menstruacioneve,
  • gjakderdhje ndërmjet cikleve,

është një arsye e mjaftueshme për një kontroll mjekësor në kohë. /Periskopi/