Hoxhaj i reagon kryeministrit sllovak: Jeni zë i Kremlinit brenda BE-së

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, duke e akuzuar atë për përsëritje të narrativave të Moskës dhe për mbrojtje indirekte të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në një postim në rrjetin X (Twitter), Hoxhaj tha se Fico “nuk është neutral”, por vepron si “rele e Kremlinit brenda Bashkimit Evropian”, duke vënë në pikëpyetje kredibilitetin e tij kur flet për ligjin ndërkombëtar.
Sipas Hoxhajt, është veçanërisht problematike që brenda BE-së vazhdon të tolerohet ky rreshtim politik, përfshirë qëndrimet e pesë vendeve të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pesëshja e Bashkimit Evropian.
“Një i ashtuquajtur mbrojtës i ‘ligjit ndërkombëtar’, që përsërit narrativat e Moskës dhe i del në mbrojtje luftës së Putinit, tani i mban leksione botës për ligjshmërinë. Robert Fico nuk është neutral; ai është një rele e Kremlinit brenda BE-së. Ajo që është edhe më shqetësuese është se shumë në BE ende e tolerojnë këtë rreshtim, përfshirë qëndrimin e EU5 ndaj Kosovës.”, ka shkruar Hoxhaj.
Reagimi i Hoxhajt vjen pas një deklarate të kryeministrit sllovak, i cili kritikoi përdorimin e forcës ushtarake pa mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe e krahasoi situatën në Venezuelë me raste të tjera ndërkombëtare, përfshirë Kosovën, Ukrainën dhe Gazën, duke akuzuar BE-në për standarde të dyfishta.
Kryeministri sllovak Robert Fico haptas ka dalë si aleat i Putinit, dhe është njeriu kryesor pse Sllovakia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. /Periskopi/
