Joshua poston për herë të parë pas aksidentit ku mbetën të vdekur dy miqtë e tij

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Anthony Joshua, ka bërë reagimin e tij të parë publik që pas përfshirjes në një aksident të rëndë automobilistik në Nigeri, ngjarje e cila rezultoi fatale për dy nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
Boksieri 36-vjeçar britanik ndodhej si pasagjer në një automjet të tipit Lexus SUV, kur ky i fundit u përplas me një kamion në një nga autostradat kryesore pranë Lagosit. Lajmi fillimisht u raportua nga BBC.
Pasojat e përplasjes ishin tragjike për anëtarët e ekipit të Joshuas. Në këtë aksident humbën jetën Sina Ghami dhe Latif ‘Latz’ Ayodele, të cilët ishin miq të ngushtë dhe pjesë e stafit të boksierit. Ceremonia e tyre mortore u zhvillua të dielën në një xhami në Londër.
Të dielën në mëngjes, ai ndau me ndjekësit në Instagram dy fotografi emocionuese. Në njërën prej tyre, Joshua shfaqej i ulur pranë nënës së tij dhe familjarëve të viktimave—përfshirë nënat e Ghamit dhe Aydeles—ndërsa njëra prej grave mbante në duar portretin e të ndjerit Ghami./Periskopi/
