Trump paralajmëron udhëheqësit e rinj të Venezuelës se do ta paguajnë një “çmim shumë të madh” nëse nuk bashkëpunojnë

Me ish-udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduron, tashmë në një burg amerikan, presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi udhëheqësit autoritarë të vendit të Amerikës së Jugut se do ta “paguajnë një çmim shumë të madh” nëse nuk “bashkëpunojnë” me Uashingtonin, edhe mes shqetësimeve globale për sulmin ushtarak amerikan.
Trump, në një intervistë të publikuar më 4 janar në The Atlantic, paralajmëroi presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se “nëse ajo nuk bën atë që është e drejtë, do të paguajë një çmim shumë të madh, ndoshta më të madh se Maduro”.
Rodriguez, e krahut të majtë politik, ishte zëvendëspresidente e Maduros përpara se të emërohej presidente në detyrë më 4 janar. Ajo e quajti veprimin e SHBA-së shkelje të Kartës së OKB-së dhe u zotua se “ne nuk do të jemi kurrë më skllevër”.
Maduro, më 4 janar, ndodhej në një burg amerikan pasi ishte transportuar në Nju Jork pas kapjes së tij nga forcat amerikane gjatë sulmit që u dënua nga Irani, Rusia dhe aleatë të tjerë të vendit të Amerikës së Jugut, por u përshëndet nga venezuelianët që jetojnë në mërgim.
Një video e postuar nga Fox News në rrjetet sociale tregonte Maduron, 63 vjeç, duke u shoqëruar nga agjentë federalë dhe duke u thënë gazetarëve: “Natën e mirë, Gëzuar Vitin e Ri.”
Ai dhe bashkëshortja e tij — e cila gjithashtu u kap gjatë bastisjes — planifikohet të paraqiten në gjykatë më 5 janar për t’u përballur me akuza për drogë.
Në një konferencë shtypi, Trump e përshëndeti operacionin ushtarak në Venezuelë, por nuk dha detaje.. Një gjeneral i lartë amerikan tha se 150 avionë amerikanë ishin përfshirë në sulm pas muajsh përgatitjesh.
Shifrat e viktimave nuk u zbuluan. Trump tha se disa zyrtarë amerikanë u plagosën, por shtoi se ata janë mirë. Ndërkohë, Kuba tha se 32 anëtarë të forcave të saj të sigurisë u vranë në Venezuelë gjatë sulmit amerikan.
Trump shkaktoi reagime kur tha se Shtetet e Bashkuara do ta “drejtojnë” përkohësisht vendin e Amerikës së Jugut “derisa të vijë momenti kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të matur”.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë nënkuptonte Trump me atë që SHBA-ja do ta “drejtojë” vendin. Ai u tha gazetarëve se po “caktonte njerëz” nga kabineti i tij për të qenë përgjegjës në Venezuelë, pa dhënë detaje shtesë.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe (i pari majtas), presidenti amerikan, Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, në Florida duke shikuar një transmetim nga distanca të misionit të ushtrisë amerikane për të kapur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, më 3 janar 2026.
Zyrtarë të administratës amerikane — përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio — nuk dhanë sqarime kur u pyetën gjatë emisioneve televizive më 4 janar për planin e Trumpit.
Rodriguez sinjalizon gatishmëri për pajtim
Gjykata e Lartë e Venezuelës urdhëroi që Rodriguez të merrte rolin e presidentes në detyrë të qeverisë së majtë.
Trump fillimisht shprehu mbështetje për Rodriguez, duke thënë se “ajo në thelb është e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën sërish të madhe”.
Rodriguez — e cila mbështetet nga ushtria venezueliane — fillimisht u shfaq sfiduese, duke e quajtur Maduron “presidentin e vetëm” të vendit dhe duke e cilësuar sulmin amerikan si një “njollë të tmerrshme” në marrëdhënie.
Pasi Trump sinjalizoi se ishte gati të kryente një valë të dytë veprimesh ushtarake në Venezuelë nëse do të ishte e nevojshme, Rodriguez zbuti qëndrimin e saj, duke shkruar në rrjetet sociale herët më 5 janar se Karakasi kërkonte një marrëdhënie “të balancuar dhe të respektueshme” me Uashingtonin.
“Ne i shtrijmë një ftesë qeverisë amerikane për të punuar së bashku në një agjendë bashkëpunimi që synon zhvillimin e përbashkët,” shkroi ajo.
Sulmet amerikane në Venezuelë dhe kapja e Maduros u dënuan ashpër nga disa aleatë të Karakasit, si dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili tha se veprimi ushtarak amerikan vendos një “precedent të rrezikshëm”.
Agjencitë e lajmeve cituan burime që thanë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet në orën 10:00 të mëngjesit më 5 janar për të diskutuar operacionin amerikan. Kolumbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, kërkoi seancën, thanë diplomatët.
