Jo vetëm mjekët, nga Kosova u larguan edhe 192 infermierë

Jo vetëm mjekët, nga Kosova u larguan edhe 192 infermierë

Largimi i profesionistëve shëndetësorë nga Kosova vazhdon të mbetet një shqetësim serioz, ku përveç mjekëve, vendin po e lënë edhe infermierët. Sipas të dhënave të Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësorë, gjatë vitit 2025 janë lëshuar 192 licenca të paplastifikuara, dokumente që zakonisht kërkohen për punësim jashtë vendit.

Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK) Nexhmije Gori ka thënë për Indeksonlinen se largimi i infermierëve nga Kosova mbetet një shqetësim i vazhdueshëm.

Gori ka thënë se krahasuar me vitin 2024, kur ishin lëshuar 325 licenca të paplastifikuara, vërehet një rënie relative e numrit të kërkesave gjatë vitit 2025.

“Megjithatë, interesimi për të punuar jashtë Kosovës mbetet i pranishëm dhe fenomeni konsiderohet ende aktiv. Krahasuar me vitin 2024, kur janë lëshuar 119 vërtetime të kodit etik dhe 325 licenca të paplastifikuara, vërehet një ulje relative e numrit të kërkesave gjatë vitit 2025”, thotë Gori.

Gori thotë se trendi i përgjithshëm i viteve të fundit, dëshmon për një interes të vazhdueshëm të profesionistëve shëndetësorë për të kërkuar mundësi punësimi jashtë Kosovës, kryesisht për shkak të pagave më të larta, kushteve më të mira të punës dhe mundësive për një jetë më cilësore.

“Kosova aktualisht nuk rrezikon të mbetet pa infermierë në kuptimin e menjëhershëm, megjithatë trendi i migrimit të profesionistëve shëndetësorë paraqet një sfidë serioze dhe afatgjatë për funksionimin e qëndrueshëm të sistemit shëndetësor. Megjithatë, vërehet një ulje relative e kërkesave për dokumente që lidhen me punësimin jashtë vendit, krahasuar me vitin 2024, interesimi për migrim mbetet i pranishëm. Kjo tregon se fenomeni nuk është ndalur, por ka pësuar vetëm luhatje”, thotë Gori.

Sipas saj nëse nuk adresohen në mënyrë strukturore faktorët kryesorë që nxisin largimin, si kushtet e punës, ngarkesa e lartë profesionale, niveli i pagave, siguria në punë dhe mundësitë për zhvillim profesional, ekziston rreziku që në të ardhmen të krijohet mungesë e theksuar e infermierëve.

“Oda vlerëson se investimi në fuqizimin e infermierëve brenda vendit, përmes politikave të qëndrueshme, dialogut institucional dhe përmirësimit të statusit profesional, është kyç për të frenuar migrimin dhe për të garantuar shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e Kosovës”, thotë Gori, raporton Indeksonline, transmeton Periskopi.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti