Reshje të mëdha të borës në Bosnjë, vdes një grua

Bosnja-Hercegovina po përballet me dëborë të dendur dimërore, pasi mbi 50 centimetra reshje ranë vetëm në 24 orë, duke mbyllur rrugët dhe duke shkaktuar kaos në disa pjesë të vendit.
Në kryeqytetin Sarajevë, një grua ka vdekur herët të hënën pasi një pemë u rrëzua mbi të për shkak të peshës së borës së akumuluar, raporton AP.
Shërbimet e pastrimit të rrugëve në qytet kanë pastruar rrugët kryesore, por disa linja tramvaji dhe autobusi kanë ndërprerë funksionimin.
Pavarësisht motit, banorët thanë se mendonin se autoritetet e kishin situatën nën kontroll.
“Mund të arrini në spitale, mund të arrini në të gjitha institucionet kryesore, kështu që mendoj se është në rregull”, ka thënë një banor.
Disa fluturime nga aeroporti i Sarajevës janë anuluar të dielën dhe të hënën.
Parashikohet më shumë dëborë këtë javë dhe temperaturat pritet të bien në minus 10 gradë celsius. /Periskopi/
