Sondazh nga “Reuters”: Përqindje e ulët e amerikanëve e përkrahin sulmin ndaj Venezuelës

Vetëm një në tre amerikanë e mbështesin sulmin ushtarak të vendit të tyre ndaj Venezuelës, me të cilin u rrëzua presidenti Nicolas Maduro, ndërsa 72 për qind e të anketuarve thanë se brengosen se Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në shtetin e Amerikës Jugore, sipas një sondazhi nga agjencia “Reuters” dhe “Ipsos” që u përmbyll të hënën.
Sipas sondazhit dyditor, 65 për qind e anëtarëve të Partisë Republikane në ShBA e mbështesin operacionin e urdhëruar nga presidenti që vjen nga partia e tyre, Donald Trump, në krahasim me vetëm 11 për qind të demokratëve e 23 për qind të të pavarurve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sondazhi i zhvilluar të dielën dhe të hënën tregoi mbështetje të konsiderueshme në mesin e republikanëve për një politikë të jashtme që e përfshin ushtrimin e ndikimit mbi vendet që ndodhen afër ShBA-së.
Rreth 43 për qind e republikanëve që morën pjesë në sondazh thanë se pajtohen me deklaratën: “Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një politikë të mbizotërimit mbi punët në Hemisferën Perëndimore”, në krahasim me vetëm 19 për qind që thanë se nuk pajtohen. Pjesa tjetër thanë se ishin të pasigurt ose nuk u përgjigjën në pyetje.
Në sondazh morën pjesë 1.248 të rritur amerikanë në mbarë vendin. Sipas të dhënave, mbështetja për presidentin Trump është 42 për qind, më e larta nga tetori dhe më e madhe se në sondazhin e dhjetorit, kur ishte 39 për qind.
Sondazhi i zhvilluar përmes internetit ka margjinë gabimi prej 3 për qind./Periskopi/
