Pse Trump këmbëngul kaq shumë për Groenlandën?

Pse Trump këmbëngul kaq shumë për Groenlandën?

“Na duhet Groenlanda për sigurinë ndërkombëtare. Na duhet. Me patjetër”. Presidenti amerikan Donald Trump riktheu kërcënimet ndaj ishullit që i përket Danimarkës. Një ditë pas operacionit që çoi në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro dhe pas njoftimit tronditës për dëshirën për të “marrë kontrollin” e Venezuelës, derisa të ketë një tranzicion të rregullt, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se vendi i tij ka nevojë për Groenlandën, një deklaratë që ka shkaktuar reagimin e kryeministres daneze, Mette Frederiksen.

Rëndësia gjeostrategjike

Rajoni i mbuluar me akull po merr gjithnjë e më shumë rëndësi gjeostrategjike. Bëhet fjalë për ishullin më të madh në botë, që për nga shtrirja është katër herë më i madh se Franca, por i mbuluar në 80% nga hapësira të bardha. Ai është kthyer në një element qendror në balancën globale të fuqisë mes shteteve të mëdha, SHBA-ve, Rusisë, Kinës dhe Europës, jo vetëm për burimet e tij minerare, por sidomos për pozicionin gjeopolitik.

Që nga marrja e detyrës në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për ta bërë Groenlandën amerikane. Para Krishtlindjeve të vitit 2024 ai deklaroi se kontrolli i Groenlandës është një domosdoshmëri absolute për sigurinë kombëtare dhe lirinë në botë. Tani ai rikthehet sërish në ofensivë. Reagimi i irrituar i Kopenhagenit, si edhe i kryeqyteteve të tjera europiane, pritet të jetë i menjëhershëm, me Parisin në krye, që ka denoncuar deklaratat, si një formë imperializmi.

Çfarë përfaqëson Groenlanda për SHBA-të

Groenlanda është një territor autonom, ku drejtësia, politika monetare, politika e jashtme, mbrojtja dhe siguria varen drejtpërdrejt nga Kopenhageni. “Megjithatë, duke qenë se kryeqyteti i saj është më afër New York-ut sesa Kopenhagenit, Groenlanda bën qartësisht pjesë në zonën e interesit të Shteteve të Bashkuara”, ka vënë në dukje historiania Astrid Andersen nga Instituti Danez për Studime Ndërkombëtare. Këto vlerësime janë pasqyruar edhe nga disa media ndërkombëtare.

“Gjatë luftës, kur Danimarka u pushtua nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara morën kontrollin e Groenlandës. Në një farë kuptimi, ato nuk janë larguar kurrë”, shpjegon studiuesja.

Konkurrenca me Kinën

Ambiciet e Shteteve të Bashkuara lidhen drejtpërdrejt me konkurrencën strategjike me Kinën. Pekini është shumë i pranishëm në ishull. Ka nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e disa aeroporteve dhe ka siguruar të drejta për disa miniera, përfshirë edhe në jug të ishullit, veçanërisht një minierë uraniumi. Sipas disa analistëve, Kina është bërë zëdhënëse e kërkesës për pavarësi të banorëve të Groenlandës.

Për këtë arsye, edhe administrata Biden ka ndërmarrë një veprim politik mjaft të fuqishëm për të kufizuar ndikimin kinez dhe, si pasojë, ka hapur një përfaqësi diplomatike në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës.

Tokat e rralla, burimet dhe rrugët arktike

Interesi amerikan është edhe ekonomik, për shkak të pranisë në ishull të shumë burimeve natyrore, si hidrokarburet, tokat e rralla dhe lëndët e para. Këto janë minerale kritike për tranzicionin energjetik dhe për përpjekjet për të përballuar emergjencën klimatike. Groenlanda është një vëzhgues i drejtpërdrejtë i këtyre ndryshimeve, për shkak të shkrirjes së vazhdueshme të akullnajave, të cilat po hapin rrugë të reja arktike për lundrim.

“Kjo situatë mund të përbëjë një rrezik në nivel gjeopolitik ndërkombëtar dhe do ta kthente ishullin në një terren konflikti shumë të vështirë për Europën, ku përballen Kina dhe Shtetet e Bashkuara”, shpjegon Angela Stefania Bergantino, profesoreshë e Ekonomisë në Universitetin e Barit dhe eksperte e gjeopolitikës, veçanërisht e rolit të Groenlandës.

“Groenlanda përfaqëson një pikë strategjike ushtarake jashtëzakonisht të rëndësishme për SHBA-të, një element që nuk duhet nënvlerësuar dhe që mund të ndikojë ndjeshëm në kontekstin gjeopolitik, edhe për zhvillimet e viteve të ardhshme”, shton ajo.

Një nga bazat më të rëndësishme të NATO-s ndodhet në Groenlandë dhe menaxhohet drejtpërdrejt nga amerikanët. /Analizë nga Corriere della Sera

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti