Brazilian Jiu Jitsu po hedh hapat e parë në Kosovë: Visar Shala sjell standardet ndërkombëtare të IBJJF

Një nga disiplinat me rritjen më të shpejtë në sportet luftarake në nivel global, Brazilian Jiu Jitsu (BJJ), po fillon të strukturohet seriozisht edhe në Kosovë.
Në qendër të këtij zhvillimi qëndron Visar Shala, sportist profesionist dhe i vetmi Brez i Zi në BJJ në Kosovë i certifikuar nga IBJJF (International Brazilian Jiu Jitsu Federation), shkruan Periskopi.
Shala, i cili është graduar nga mjeshtri brazilian Orlando Neto në bashkëpunim me Tirana MMA Center, ka ndërtuar karrierën e tij mbi një përvojë të gjatë ndërkombëtare.
Ai i ka filluar hapat e parë në këtë sport në vitin 2013 në Itali, në akademinë elitare Rilion Gracie Italia, pjesë e trashëgimisë së njohur të familjes Gracie – themeluesit e Brazilian Jiu Jitsu modern.
Gjatë viteve, Shala ka garuar në disa nga arenat më prestigjioze të Evropës, duke fituar medalje në Kampionatin Europian IBJJF, Kampionatin e Italisë, si dhe në shumë gara të tjera të nivelit të lartë ndërkombëtar. Përvoja e tij nuk kufizohet vetëm në sport, pasi ai ka përfunduar studimet në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe të Drejta të Njeriut në Universitetin e Padovës, ndërsa ka jetuar dhe vepruar për një periudhë të gjatë në Itali dhe Zvicër.
Pas përfundimit të karrierës aktive dhe kthimit në Kosovë, Shala ka nisur një mision të ri: ndërtimin e strukturave profesionale të Brazilian Jiu Jitsu në vend.
Në Prizren, ai ka themeluar klubin multidisiplinar “Prizreni MMA Center”, ndërsa nga 12 janari do të hapë edhe kurse profesionale të BJJ në Prishtinë, në palestrën Fight Factory./Periskopi/

