KRU “Mitrovica”: Furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” ka njoftuar se vazhdon të jetë ketë ndërprerje të ujit për shkak të nivelit të turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc.
Në njoftim bëhet thirrje që mos të përdoret për pije uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet.
“Ju njoftojmë se niveli i turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt të ujit, për çka Impiantet për Trajtimin e Ujit të Pijes nuk mund të operojnë. Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është vërejtur një rënie e përkohshme e turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit, situata ka ndryshuar sërish dhe niveli i turbullshmërisë ka shënuar rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit për konsum. Si pasojë, furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës”, njofton Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”.
Më tej kanë njoftuar se “Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe parametrave të ujit, dhe rifillimi i trajtimit do të bëhet menjëherë sapo kushtet teknike ta lejojnë këtë. Për çdo risi, ndryshim apo zhvillim të mëtejmë të situatës, konsumatorët do të informohen në kohë reale, përmes kanaleve tona zyrtare të komunikimit”./Periskopi
