24 orë “luftë”me vërshimet: Kurti nuk e thotë asnjë fjalë, gjen kohë t’i uroj serbët për Krishtlindje

Reshjet e shiut gjatë ditës së djeshme kanë shkaktuar vërshime ne shumë komuna të Kosovës, duke bërë dëme të mëdha material e shumë familje u detyruan të evakuohen. Për situatën alarmante në Kosovë kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare, shkruan Periskopi.
Janë bërë 24 orë prej kur komunat e Kosovës janë duke “luftuar” me vërshimet nga ku kryetarët e komunave edhe kanë bërë thirrje për mbështetje nga niveli qendror. Por, për situatën e krijuar ende nuk ka thënë asnjë fjalë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërkohë që i njëjti gjeti kohë që t’i uroj qytetarët e komunitetit serb për Krishtlindjet ortodokse.
Ndërkohë ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci ka njoftuar mbrëmë për shtyrjen e procesit mësimor deri me 12 janar, pas vërshimeve në vend.
Pas vërshimeve komuna e Malishevës dhe ajo e Junikut kanë shpallur gjendjen të jashtëzakonshme, ndërsa hiç mirë nuk qëndrojnë as komuna e Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt e Gjakovës.
Për situatën e krijuar me vërshime kanë reaguar të martën përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive deri tash në opozitë.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.
“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave po punon pareshtur bashkë me organet e rendit. Falënderoj edhe Forcën e Sigurisë së Kosovës për gatishmërinë e plotë për ofrimin e mbështetjes së menjëhershme, duke vënë në dispozicion kapacitetet e saj njerëzore dhe logjistike, nëse paraqitet nevoja. Situata kërkon kujdes maksimal. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë vigjilencë dhe të respektojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve kompetente. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional mbeten vendimtare për përballimin me sukses të kësaj situate”, ka shkruar ajo në Facebook.
E në Partinë Demokratike (PDK) u kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që ta marrin përgjegjësinë e plotë, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë në menaxhim të situatës emergjente.
“Ndihma për komunat e prekura, familjet dhe bizneset duhet të jetë e shpejtë, e drejtë dhe pa burokraci të panevojshme. Në këto momente prioritetet absolut duhet të jetë siguria e qytetarëve, mbrojtja e jetës dhe pronës, si dhe rikthimi sa më i shpejtë i normalitetit në zonat e prekura”, thuhet në reagimin e PDK-së.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes.
“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve. Kam kontaktuar me kryetarët e komunave nga Aleanca, për t’u informuar mbi veprimet që po i ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë. Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
IHMK-ja njofton për sasitë e të reshurave të dy ditëve të fundit mbi vendin tonë
