Elezaj: Situata nga reshjet në Klinë mbetet e ndjeshme edhe në ditën e tretë, familjet pranë lumenjve evakuohen

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj ka deklaruar se situata e krijuar nga reshjet e shiut vazhdon të jetë e ndjeshme edhe në ditën e tretë.
Ai ka theksuar se deri në orët e hershme të mëngjesit ka pasur reshje intensive, ndërsa gjatë ditës është vërejtur një qetësim i përkohshëm i gjendjes, por situata është përkeqësuar sërish në orët e mbrëmjes.
Sipas Elezajt, familjet që jetojnë pranë lumenjve janë evakuuar për arsye sigurie, kryesisht me vetorganizim, pa kërkuar ndihmë nga Komuna.
Autoritetet lokale, megjithatë, vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të qëndrojnë në gatishmëri.
“Kemi pasur reshje shiu deri në orët e hershme të mëngjesit. Gjatë ditës ka pasur një qetësim të situatës, por në orët e mbrëmjes gjendja është përkeqësuar sërish. Kjo është dita e tretë që situata në Klinë mbetet e njëjtë. Familjet që jetojnë afër lumenjve janë evakuuar me vetorganizim dhe nuk kanë kërkuar ndihmë nga Komuna,” ka deklaruar për RTV21.
