Kosova dhe qytetarët – humbësit më të mëdhenj të një sistemi të kapur zgjedhor

Shkruan: Florian Dushi
Zgjedhjet nuk i bën dita e votimit, por ligji, rregullat dhe barazia e garës. Kur këto deformohen, rezultatet nuk prodhojnë vetëm fitues e humbës të zgjedhjeve, por zhgënjim kolektiv, mosbesim në procesin zgjedhor dhe në institucionet që dalin prej tij.
Pikërisht këtë gjendje e kemi sot pas zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Një pjesë e madhe e qytetarëve e ndjejnë se gara nuk ishte e barabartë. Dhe kjo ndjenjë është e lidhur me dy zhvillime shumë konkrete:
1. instrumentalizimin e mërgatës nga partia në pushtet përmes propagandës së pandershme dhe të kushtueshme, dhe
2. përdorimin e buxhetit publik si mjet elektoral, sidomos për kategori të ndjeshme shoqërore.
Kjo situatë nuk është një vëzhgim i imi
abstrakt, por një realitet që e kam parë nga afër në praktikë për shumë vite. Përvoja ime e gjatë në organizimin e proceseve zgjedhore në Kosovë, si dhe pjesëmarrja dhe vëzhgimi i dhjetëra proceseve zgjedhore në shtete të ndryshme të botës, kanë forcuar bindjen time se demokracia mbrohet vetëm kur rregullat ndërtohen njësoj për të gjithë. Prandaj angazhimi im i vazhdueshëm ka qenë dhe mbetet përmirësimi i sistemit zgjedhor dhe mbrojtja e barazisë së garës – si themeli i legjitimitetit të çdo institucioni që buron nga vota e qytetarëve.
Ta themi qartë: askush nuk e konteston të drejtën e votës së mërgatës, janë shtetas të Kosovës dhe Kushtetuta (jo ndonjë parti) ua ka njohur këtë të drejtë. Por është krejt tjetër gjë kur mërgata kthehet në objekt manipulimi, mobilizimi selektiv e presioni partiak — ndërkohë që vendimmarrja për jetën e përditshme në Kosovë (taksat, buxheti, pagat, shërbimet publike etj.) ndikohet në mënyrë disproporcionale nga votues që nuk jetojnë në Kosovë fare. Dhe është edhe më e rëndë kur, pas shpalljes së zgjedhjeve, qeveria shpërndan shtesa, rritë paga e pensione si dhe shpërndanë ndihma të tjera financiare “për kategori të ndjeshme”, në një kohë kur këto vendime po konsiderohen me të drejtë blerje direkte e votës me para publike.
Prandaj, reforma zgjedhore nuk është dhe nuk duhet trajtuar si çështje teknike. Është çështje rregullsie e drejtësie dhe çështje e barazisë dhe e legjitimitetit të procesit zgjedhor, për më tepër, është çështje e nivelit të lirisë dhe demokracisë në vendin tonë. Prandaj opozita me guxim dhe vendosmëri duhet t’i vendos këto kushte përballë një regjimi që sot rrah gjoks mbi rezultatet që ka prodhuar një sistem elektoral i cili kudo në botën demokratike konsiderohet sistem i kapur dhe instrumentalizuar. Kushtëzimi i reformës nga ana e opozitës duhet të jetë i qartë, madje edhe me peshën e pjesëmarrjes në zgjedhje, sepse këto janë çështje që kanë zgjidhje dhe zgjidhje të praktikuara tashmë në shumë shtete me demokraci tejet të avancuar në botën perëndimore.
1) Ndarja e Kosovës në zona zgjedhore
Modeli aktual me një zonë zgjedhore e ka dobësuar përfaqësimin real dhe ka forcuar kontrollin e qendrave partiake.
Zonat zgjedhore sjellin:
• përfaqësim më të drejtë territorial dhe lidhje më të fortë deputet–qytetar;
• përgjegjësi direkte: deputeti e di kujt i jep llogari dhe qytetari di nga kush të kërkojë llogari;
• ulje të ndikimit të “fushatave të shtrenjta” dhe rrjeteve klienteliste;
• garë më reale e cila fare nuk e bënë dallimin në numra përfaqësimi por vetëm në emra që lidhen me zonat ku jetojnë – edhe garojnë.
Kjo do ta kthente përfaqësimin te qytetari, jo te marketingu dhe te diktimi i rezultatit nga qendrat partiake e të pushtetit.
2) Përcaktimi i vendeve në Kuvend për votuesit jashtë Kosovës, pa ua mohuar të drejtën e votës.
Ky është standard i njohur dhe i praktikuar tashmë në Evropë: përfaqësim po, por i përcaktuar saktë, që të mos deformojë vendimmarrjen në raport me ata që votojnë por edhe jetojnë brenda shtetit.
Shembujt janë të qartë:
Italia
Parlamenti italian ka gjithsej 600 anëtarë: 400 deputetë në Dhomën e Deputetëve dhe 200 senatorë në Senatin e Republikës. Nga ky total, diaspora përfaqësohet me 8 deputetë dhe 4 senatorë, pra 12 nga 600, që përbëjnë vetëm 2% të përfaqësimit parlamentar.
Franca
Asambleja Kombëtare franceze ka 577 deputetë, nga të cilët vetëm 11 përfaqësojnë diasporën, rreth 1.9% e përfaqësimit total.
Kroacia
Parlamenti kroat (Sabori) ka 151 deputetë, ndërsa diaspora zgjedh maksimum 3 deputetë, afërsisht 2% e përbërjes parlamentare.
Pra, askund diaspora nuk lihet të ketë “peshë vendimtare” për shumicën politike brenda shtetit. Sepse demokracia funksionon me balancë: përfaqësim për diasporën, por vendimmarrje primare nga ata që i jetojnë pasojat e zgjedhjes së tyre çdo ditë.
Asnjë nga këto demokraci evropiane nuk e lejon që vota e shtetasve jorezidentë të ketë ndikim disproporcional në formimin e shumicës parlamentare. Pra, nuk lejohet qe votuesit rezident të “mbivotohen” nga votuesit jorezident të cilët nuk kanë ndonjë barrë financiare dhe të cilët janë pa përgjegjësi direkte institucionale në shtetin rezident të të cilit nuk janë!
3) Kufizimi i vendimmarrjes së qeverisë pas shpalljes së zgjedhjeve
Kjo është pika që forcon drejtpërdrejt integritetin dhe nuk lejon cenimin barazisë së garës. Pas shpalljes së zgjedhjeve, qeveria nuk mund të sillet si parti në fushatë me çelësat e arkës së shtetit në dorë. Duhet:
• qeveri me kompetenca të kufizuara e vendimmarrje të specifikuar saktë;
• ndalim i vendimeve buxhetore me ndikim elektoral (shtesa, rritje pagash/pensionesh, skema të improvizuara etj.);
• transparencë dhe kontroll i rreptë i çdo vendimi financiar.
Sepse ndryshe kemi një garë ku njëra palë shpërndan para publike për votë, e tjetra bën fushatë me fjalë e premtime. Kjo s’është demokraci — kjo është pabarazi e institucionalizuar.
Përfundimisht, këto tri çështje nuk janë retorikë boshe. Janë masa konkrete që e kthejnë procesin në binarë, sigurojnë garë të barabartë dhe prodhojnë përfaqësim të drejtë e rezultat të pakontestuar.
Prandaj opozita, të gjithë së bashku dhe njëzëri, duhet të angazhohen me çdo kusht për këto ndryshime që sigurojnë zgjedhje korrekte dhe forcojnë demokracinë në vendin tonë. Opozita nuk guxon që edhe njëherë tjetër të legjitimojë me pjesëmarrje një proces të kapur e të instrumentalizuar skajshëm nga pushteti. Jo pa reformë dhe jo pa ndryshimet që procesin zgjedhor e bëjnë të lirë, të barabartë dhe të drejtë.
