Detajet e operacionit, Maduro dhe gruaja e tij u përplasën duke u ikur forcave Delta

Zyrtarët e administratës Trump kanë zbuluar për ligjvënësit detaje të reja rreth operacionit të forcave amerikane Delta Force në Venezuelë, gjatë të cilit u kap presidenti i atëhershëm, Nicolas Maduro, dhe gruaja e tij, Cilia Flores. Burimet e CNN-së thanë se të dy u plagosën duke goditur kokën gjatë përpjekjes për t’u larguar nga kompleksit i tyre.
Maduro dhe Flores u përpoqën të fshiheshin pas një dere të rëndë çeliku, por korniza e derës ishte e ulët dhe ata e goditën atë. Operatorët e Delta Force i kapën dhe u dhanë ndihmë mjekësore menjëherë pas nxjerrjes nga kompleksi, thanë burimet.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, Gjenerali Dan Caine, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe Drejtori i CIA-s John Ratcliffe informuan ligjvënësit për më shumë se dy orë për detajet e operacionit.
Në gjykatë, Maduro dhe Flores u paraqitën me lëndime të dukshme. Avokati i Flores tha se ajo “pësoi lëndime të rënda”, duke përfshirë mundësinë e një frakture ose mavijosje të rëndë në brinjë. Ndërsa zyrtarët e administratës përshkruan dëmtimin e saj si të lehtë, gjatë seancës ajo lëkundej dhe ulte kokën, ndërsa Maduro kishte vështirësi të ulej dhe ngrihej në disa momente.
Disa operatorë të Delta Force gjithashtu pësuan lëndime gjatë shkëmbimit të zjarrit me një forcë të reagimit të shpejtë kubaneze pranë kompleksit, por plagët e tyre nuk janë kërcënuese për jetën. Hegseth tha se rreth 200 personel amerikan ishte në terren në Karakas gjatë operacionit.
Numri i viktimave venezueliane dhe kubaneze nuk është i qartë, por qeveria kubaneze raportoi 32 humbje, ndërsa Stephen Miller nga stafi i Trump tha se numri mund të jetë më i lartë, duke përshkruar situatën si një “betejë të tërbuar me armë zjarri”.
Zyrtarët pohojnë se kapja e Maduros nuk ishte një operacion për ndryshim regjimi, pasi qeveria mbetet në funksion dhe tani udhëhiqet nga zëvendësja e tij, Delcy Rodriguez. Rubio dhe administrata e shohin Rodriguez si më pragmatike dhe të gatshme për bashkëpunim, ndërsa opozita nuk do të kishte kontroll mbi forcat e sigurisë, transmeton EuronewsAlbania.
Administrata ka qenë në kontakt me Rodriguezin dhe vëllain e saj, Jorge Rodriguez, për të inkurajuar ndryshimin e sjelljes, jo për rrëzimin e Maduros. Rodriguez, e cila është edhe ministre e naftës, pritet të bashkëpunojë me SHBA për rindërtimin e infrastrukturës së naftës dhe operimin e kompanive amerikane, pa asnjë marrëveshje zyrtare deri tani./Periskopi/
