Dalin pamjet: Forcat amerikane lëshohen nga helikopteri në anijen “Sophia”

Autoritetet amerikane kanë publikuar dy video të incizuara nga ushtria pas sekuestrimit të anijeve transportuese të naftës, “Sophia” dhe “Marinera”.
Sekretarja e Sigurisë së Atdheut, Kristi Noem, dhe Komanda Jugore e Ushtrisë së ShBA-së i publikuan këto video në rrjetin X, ku shihen helikopterët duke iu afruar anijeve transportuese nga kënde të ndryshme dhe disa persona duke u lëshuar mbi to.
Sipas zonjës Noem, anija që shihet në video u sekuestrua në “ujëra ndërkombëtare afër Detit të Karaibeve”, raporton televizioni BBC.
Sipas të dhënave më të fundit rreth vendndodhjes, anija “Sophia” ishte afër bregdetit të Kamerunit më 24 korrik dhe prej asaj kohe nuk e kishte transmetuar lokacionin.
Anijet kanë mundësi që t’i falsifikojnë të dhënat për venddodhjen e tyre në mënyrë që ta fshehin pozicionin në det.
“Kriminelët e botës janë paralajmëruar. Mund të vraponi, por nuk mund të fshiheni. Ne asnjëherë nuk do të zbutemi në misionin tonë për ta mbrojtur popullin amerikan dhe për ta frenuar financimin e narko-terrorizmit kudo që e gjejmë, pikë” – shkroi zonja Noem në postimin ku e publikoi videon./Periskopi/
