Nga një banesë 50 mijë euro deri te shtëpitë në Marigona Hill – Si u pasurua Vjosa Osmani ndër vite
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka qenë kryetemë e kësaj jave, pasi është raportuar se ndaj saj kanë nisur hetime nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për verifikimin e pasurisë së saj, shkruan Periskopi.
Nga një banesë prej 50 mijë eurosh që e kishte në vitin 2014, sa ishte deputete, deri te blerja e një shtëpie me vlerë 510 mijë euro, sa është presidente, shtrohet pyetja: si u rrit pasuria e Vjosa Osmanit ndër vite?
Periskopi më poshtë sjell një përmbledhje të pasurisë së Osmanit, ashtu siç është deklaruar nga ajo në APK.
Në vitin 2014, Vjosa Osmani kishte deklaruar se kishte blerë një banesë në vlerë prej 50 mijë eurosh, me sipërfaqe 83.51 metra katrorë, si dhe një garazh që kushtonte 6 mijë euro.

Në atë kohë, Osmani ishte deputete dhe merrte një pagë vjetore prej 15 mijë e 553 eurosh nga Kuvendi i Kosovës.
Pagë vjetore merrte edhe nga Universiteti i Prishtinës, rreth 3 mijë euro në vit, si dhe nga AUK, 6 mijë euro në vit.
Osmani kishte të holla edhe në dy banka në Kosovë. Në njërën bankë kishte 24 mijë e 347 euro, ndërsa në tjetrën 3 mijë e 200 euro, shuma këto që ndër vite ishin “fryrë”.
Po ashtu, ajo kishte blerë një veturë me vlerë rreth 10 mijë euro.
Gjatë vitit 2015, Vjosa Osmani ka deklaruar në APK se të hyrat vjetore nga Kuvendi i Kosovës janë rritur në 18 mijë e 345 euro.
Për dallim nga dy vitet paraprake, në vitin 2016 Vjosa Osmani ka deklaruar edhe të hyra nga Universiteti i Pittsburghut, në vlerë prej 4 mijë e 870 eurosh në vit, si “visiting professor”.
Në vitin 2017, Vjosa Osmani deklaroi se ishte pasuruar edhe më shumë, duke blerë një parcelë toke me vlerë 38 mijë euro. Po ashtu, ajo hapi llogari bankare për vajzat e saj në Australi, ku kishte 1 mijë e 800 euro para të gatshme.

Në vitin 2018, llogaria bankare e vajzave u rrit ndjeshëm, duke arritur në 37 mijë e 580 euro.

Ndryshime në deklarime
Ndryshime janë vërejtur edhe te vlera e banesës dhe garazhit që Osmani ka deklaruar gjatë viteve 2014–2019. Derisa në vitin 2014 ajo kishte deklaruar se banesën e kishte blerë për 50 mijë euro, në vitin 2019 Osmani deklaroi se të njëjtën e kishte blerë për 40 mijë euro. Po ashtu, vlera e garazhit u deklarua 2 mijë 500 euro, ndonëse në vitin 2014 ishte deklaruar se ishte blerë për 6 mijë euro.

Deklarimi në vitin 2018- 2019
Pasuria e Vjosa Osmanit 2021-2025, prej se është Presidente
Pozita e presidentes i ka sjellë më shumë privilegje Vjosa Osmanit. Në vitin 2021, ajo kishte deklaruar se bashkë me bashkëshortin e saj ishin zhvendosur në lagjen luksoze të Prishtinës, “Marigona Hill”. Në atë kohë, ata kishin deklaruar se kishin borxh ndaj “Marigona Hill” në vlerë 87 mijë e 900 euro.

Në vitin 2022, Osmani deklaroi në APK se kishte blerë 4 ari gjatë vitit 2019, të përshkruara si “banim në varg – në ndërtim të vrazhdë”, por pa e deklaruar çmimin e pronës.

Në vitin 2023, situata ndryshon. Presidentja Osmani deklaron se ka blerë dy shtëpi në lagjen “Marigona Hill”. Njëra prej tyre, me vlerë 170 mijë euro, ishte blerë në vitin 2019, ndërsa ndërtimi kishte filluar në vitin 2022. Megjithëse çmimi i shtëpisë sipas listës ishte 170 mijë euro, ajo deklaroi se kishte borxh vetëm 60 mijë euro.


Deklarimi në vitin 2023
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, deklaroi se kishte blerë një shtëpi me vlerë 510 mijë euro, duke thënë se ajo ishte financuar pas shitjes së shtëpisë së tij në Australi dhe shtëpisë së prindërve të tij.
Në vitin 2024, të dhënat ndryshojnë sërish. Shtëpia që Osmani kishte deklaruar se e kishte blerë për 170 mijë euro, në këtë vit deklarohet se ka kushtuar 190 mijë euro, ndërsa borxhi ndaj “Marigona Hill” ishte zvogëluar në 40 mijë euro.


Deklarimi në vitin 2024
Në vitin 2025, çifti presidencial Osmani–Sadriu sjellin një tjetër deklarim. Ata thonë se “banimi në varg”, i deklaruar më parë, në fakt është banim në Australi, i blerë pasi Prindon Sadriu kishte shitur shtëpinë e tij atje dhe shtëpinë e prindërve të tij.
Ndërkohë, çmimi i pronës në “Marigona Hill” që ishte 190 mijë euro në vitin 2025 rritet papritur në 208 mijë euro.

Deklarimi në vitin 2025
Ndërkohë, borxhi i mëhershëm prej 87 mijë euro ndaj “Marigona Hill” në vitin 2025 figuron vetëm 16 mijë euro, i përshkruar si “këste të papaguara për punë shtesë të shtëpisë nga kompani të ndryshme”.

Theksojmë se të dhënat e deklarimit të pasurisë së presidentes Osmani në periudhën 2021-2025, Periskopi i ka siguruar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, pasi në webfaqen e të njëjtës janë shfaqur probleme gjatë këtyre ditëve.
