Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se përfshirja e vendit të tij në Venezuelë mund të zgjasë me vite.

Ai i tha New York Times se “vetëm koha do të tregojë” se sa gjatë administrata e tij do të “mbikëqyrë” drejtimin e kombit të Amerikës së Jugut pas kapjes nga forcat amerikane të udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro në një bastisje të shtunën.

Trump gjithashtu nuk tha nëse ose kur do të mbaheshin zgjedhje në Venezuelë për të zëvendësuar qeverinë e përkohshme të kryesuar nga besnikja e Maduros, Delcy Rodríguez.

Ndërkohë, udhëheqësja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, tha se rrëzimi i Maduros kishte nisur një “proces të pakthyeshëm” që do ta çonte Venezuelën drejt “lirisë”.

Gazetarët e New York Times (NYT) e pyetën Trumpin mbi planet e tij për të ardhmen e Venezuelës, disa ditë pasi ai kishte thënë se administrata e tij do të drejtonte kombin e pasur me naftë.

Më herët, Shtëpia e Bardhë kishte thënë se SHBA-të do të kontrollonin shitjet e naftës së sanksionuar “për një kohë të pacaktuar”.

Trump tha se administrata e tij do të “merrte naftë” nga Venezuela, e cila ka rezervat më të mëdha të provuara në botë, por pranoi se do të “duhej pak kohë” që industria e naftës e vendit të vihej në punë. /Telegrafi/