OEK: Zjarri në Comodita, humbje e madhe për ekonominë e Gjakovës dhe të Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur keqardhjen për zjarrin në Comodita që ndodhin pasditen e së enjtes në Gjakovë, e ku vlerësojnë se është humbje e madhe për ekonominë.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh keqardhjen e thellë për zjarrin që përfshiu një pjesë të objektit të kompanisë Comodita Home në Gjakovë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Ky incident përbën një humbje të madhe jo vetëm për kompaninë Comodita dhe Devolli Group, por edhe për ekonominë e Gjakovës dhe të gjithë Republikës së Kosovës, duke marr parasysh rolin e rëndësishëm që ky grup ka në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe kontributin fiskal në vend. Duke pasur parasysh se Devolli Group është ndër taksapaguesit më të mëdhenj në Kosovë dhe një nga shtyllat kryesore të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Qeverisë së Republikës që të ofrojë mbështetje institucionale dhe financiare, në mënyrë që kjo kompani të rikuperohet sa më shpejt dhe të vazhdojë aktivitetin e saj afarist. Oda Ekonomike e Kosovës qëndron pranë kompanisë Comodita dhe Devolli Group, duke shprehur mbështetje të plotë në përpjekjet për rikuperim dhe vazhdim të aktivitetit të tyre afarist. OEK është e bindur se kjo kompani do ta tejkalojë këtë situatë të vështirë dhe do të vazhdojë të kontribuojë fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në reagimin e OEK.
OEK rithekson rëndësinë e mbrojtjes së bizneseve dhe infrastrukturës ekonomike si faktorë kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
