LDK humbi 5 mandate në zgjedhjet e fundit – Hykmete Bajrami: Dorëzimi i LDK’së s’është opsion

LDK humbi 5 mandate në zgjedhjet e fundit – Hykmete Bajrami: Dorëzimi i LDK’së s’është opsion

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka falenderuar qytetarët që e kanë votuar më 28 dhjetor, duke ia siguruar kështu mandatin e shtatë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Bajrami ka thënë se pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, në të cilat kjo parti pësoi debakël duke rënë në 13%, dorëzimi nuk është opsion.

Ajo ka shtuar se rezultati i 28 dhjetorit është përgjegjësi, mësim dhe reflektim secilin.“Nuk ka rrugë tjetër përveç ringritjes dhe rikthimit të LDK-së, duke vendosur gjithmonë LDK-në para individit dhe Kosovën para çdo partie. E kam shkruar dhe po e përsëris edhe një herë: së bashku nuk do të ndalemi, LDK duhet dhe do të rikthehet e para, me punë, me besim dhe me ekip”, ka shkruar Bajrami.

Tutje, Bajrami ka thënë se votat janë përgjegjësi e madhe.“Gjatë mandateve të kaluara kam punuar pa u ndalur: kundër korrupsionit, për transparencë dhe llogaridhënie, për mbrojtjen e interesit publik, për forcimin e shtetit të së drejtës, për drejtësi sociale dhe barazi, aq sa kam pasur hapësirë dhe kapacitet. Por lufta nuk ka mbaruar. Sot, më shumë se kurrë, propaganda, korrupsioni dhe përpjekjet për rrënimin e demokracisë po sulmojnë themelet e shtetit tonë. Kundër tyre do të vazhdoj të jem zëri i juaj, pa kompromis dhe pa frikë. Do të punoj çdo ditë për të vërtetën, sepse vetëm e vërteta na çliron, na bashkon dhe na çon përpara”, ka shkruar Bajrami.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti