Kosova, kjo ëndërr historike po shndërret në rutinë varfërie, migrimi dhe degradimi

Shkruan: Korab Rashiti
Mesazhi im i fundit sa i përket politikës në Kosovë —
Këtë e shkruaj me një lloj dhimbjeje që s’e shpjegon dot as zemërimi, as ironia. Sepse Kosova, për mua, nuk ka qenë kurrë thjesht një territor me kufij në hartë, as një debat i zakonshëm partiak. Kosova ka qenë një ide historike: një betim për liri, një shpresë e ngritur mbi sakrificë, mbi varre të hapura e mbi lot që ende s’janë tharë. Ka qenë premtimi se, pas gjithë asaj që u përjetua, do të ndërtohej një shtet ku njeriu do të jetonte me dinjitet — jo me frikë, jo me varësi, jo me heshtje.
Në këtë sistem zgjedhor, LVV ka fituar 58 ulëse dhe, rreth 51% të votave. Në letër kjo quhet fitore demokratike. Por kur një fitore kthehet në dominim të plotë, kur shumica fillon ta shohë veten si e vetmja e drejtë dhe çdo kritikë si armiqësi, atëherë historia nis të ziejë nën sipërfaqe. LVV do të qeverisë këto katër vite me kontroll pothuajse të plotë mbi legjislativin dhe ekzekutivin; pastaj vijnë rinovimet në drejtësinë kushtetuese, pastaj emërimet, pastaj kapja e mekanizmave, pastaj “normalizimi” i pushtetit si pronë e një force të vetme. Dhe aty fillon rrëshqitja që s’duket menjëherë — rrëshqitja ku shteti, nga mjet i qytetarit, bëhet mjet i pushtetit.
Unë besoj se LVV do të mbetet në pushtet edhe 15 vjet të tjera me të njëjtin lider, duke e çuar një epokë të vetme në rreth 25 vjet. Një çerek shekulli është më shumë se një mandat, më shumë se një cikël; është formësim kulture, është ngritje brezi, është krijim i një mendësie ku pushteti merret si “gjendje natyrore” dhe jo si detyrim i përkohshëm. Në histori, kur pushteti zgjat aq gjatë, ai pushon së kërkuari llogari dhe fillon t’i kërkojë shoqërisë nënshtrim.
Pastaj vjen ajo që unë e quaj varfërim i shpresës. Dhe kur shpresa varfërohet, njerëzit ikin. Jo sepse s’e duan vendin — por sepse s’e shohin më jetën. Atëherë Kosova fillon të mbetet pa bijtë e vet: ikin të rinjtë, ikin punëtorët, ikin profesionistët, ikin ata që do të mund të ndërtonin. Dhe për ta mbushur boshllëkun e një vendi që po zbrazet, imigracioni nga vende shumë të varfra të botës bëhet normalitet, bëhet “zgjidhje” për mungesën e fuqisë punëtore. Kjo s’është as racizëm, as urrejtje ndaj askujt; është një diagnozë e ftohtë e një tragjedie: kur një komb nuk arrin t’i mbajë njerëzit e vet, ai e humb ngadalë edhe identitetin e vet social, edhe peshën e vet historike.
Sa për partitë e tjera, ato më duken si simptoma të një sëmundjeje më të vjetër se LVV.
LDK-ja, në sytë e mi, është shndërruar në një aparat që ushqehet me rreth 600 mijë euro në vit dhe mban gjallë një rreth njerëzish që jetojnë prej atij financimi. Kosova nuk u bëhet mision, u bëhet rrogë. Prandaj duan me çdo kusht ta ruajnë kryetarin aktual: jo për vizion, jo për reformë, por sepse status quo-ja i mban të paguar — me paratë tuaja, me paratë e taksapaguesve. Në histori, kur një elitë politike jeton nga buxheti dhe jo nga ideja, ajo pushon së qenuri përfaqësuese: kthehet në parazit institucional.
PDK-ja, ndërkohë, më duket e ngecur në vitet 2008, e lidhur pas kultit të personalitetit të figurave të vjetra. Ajo vazhdon ta mbajë veten në jetë edhe përmes financimit publik — rreth 700 mijë euro nga buxheti i Republikës, pra nga taksat e qytetarëve. Por paratë nuk sjellin domosdoshmërisht ide; paratë vetëm e zgjasin një strukturë që nuk e ka guximin të çlirohet nga e shkuara. Dhe unë dyshoj fort se kjo parti do të ndryshojë realisht drejt një mendimi politik të ri, të hapur, të guximshëm.
AAK-ja është e destinuar të tretet, sepse është ndërtuar mbi karizmën e një njeriu. Partitë që mbështeten në një figurë të vetme, historikisht, nuk mbijetojnë si institucione; ato zhduken sapo figura lodhet, dobësohet, ose largohet. Dhe pas karizmës, kur hiqet perdet, shpesh s’mbetet as ide, as program, as thelb.
E çfarë të thuhet për presidenten aktuale?
Kur ke një popull me njërin nga PBB-të më të ulëta në Evropë, kur paga mediane sillet rreth 540 euro, dhe ndërkohë sheh se si presidentja arrin të blejë dy vila në një lagje luksoze, kjo nuk është më çështje thashethemesh apo zilie. Kjo është simbolikë. Është pasqyrë.
Ajo tregon një mindset të përgjithshëm: tregon se si kuptohet pushteti, për çfarë shërben funksioni publik dhe çfarë distance reale ekziston mes elitës dhe qytetarit të zakonshëm. Tregon se për disa, shteti është sakrificë; për disa të tjerë, është mundësi.
Nuk kam nevojë të shtoj më shumë. Faktet flasin vetë.
Secili le ta nxjerrë përfundimin e vet.
Dhe tani, më e rënda: çfarë po bëhet me vetë idenë e Kosovës?
Kosova ishte ide e lirisë. Ishte “kurrë më” ndaj poshtërimit. Ishte dëshira për të qenë shtet që nuk e ha qytetarin, por e mbron. Por nëse kjo ide zbehet, nëse shteti shndërrohet në një mekanizëm ku pushteti zgjatet, ku institucionet kapen, ku meritokracia vdes, ku prodhimi nuk ngrihet, ku ekonomia mbetet e dobët, atëherë në dhjetë vjet Kosova rrezikon të bëhet një vend tranziti: një pllakë qarkullimi e rrjeteve të drogës dhe ekonomisë së zezë. Jo sepse njerëzit e Kosovës e duan krimin, por sepse, kur s’ka industri, s’ka prodhim, s’ka perspektivë, krimi bëhet ekonomia e fundit që e gjen rrugën e vet. Edhe ktu pushteti dot jet aktive…
E them këtë me trishtim, sepse nuk ka gjë më të rëndë sesa kur e sheh një ëndërr historike duke u shndërruar në rutinë varfërie, migrimi dhe degradimi. Dhe nuk ka gjë më të dhimbshme sesa kur e kupton se liria mund të humbet edhe pa pushtues — mjafton të zhduket nga brenda, nga lodhja, nga oportunizmi, nga kapja e shtetit.
Fat të mirë… juve.
Dhe fat të mirë Kosovës — sepse ajo e meriton më shumë se sa çfarë po i japim.
Mir u pafshmi
