Lladrovci: “Ura e Senikëve” nuk është e sigurt paraqet rrezik, disa rrugë në Drenas të pakalueshme
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë thirrje urgjente për respektimin e udhëzimeve për ndalim qarkullimi në disa segmente rrugore, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe gërryerjet e bazës së rrugëve.
Sipas Lladrovcit, qytetarët nuk duhet të kalojnë nëpër “Urën e Senikëve”, në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovë, pasi ura nuk është e sigurt dhe paraqet rrezik serioz për qarkullim.
“Ura e Senikëve nuk është e sigurt. Ju lutemi të shfrytëzoni rrugën alternative në drejtim të fshatit Llapushnik – Krajkovë – Damanek – Baicë – Çikatovë e Re”, ka theksuar Lladrovci.
Ai ka paralajmëruar se personat që nuk respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet do ta bartin vetë përgjegjësinë, duke shtuar se policia e ka të pamundur të jetë e pranishme në çdo pikë problematike.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, respektoni udhëzimet për ndalim qarkullimi në disa rrugë!
Qytetarë të nderuar, mos kaloni kah “Ura e Senikëve” në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovën për shkak të gërryerjes së bazës së saj nga ujërat dhe dëmtimit të rrugës që lidh këtë aks rrugor.
“Ura e Senikëve” nuk është e sigurt dhe paraqet rrezik. Ju lutemi të shfrytëzoni rrugën në drejtim të fshatit Llapushnik – Krajkovë – Damanek – Baicë -Çikatovë e Re.
Personat që nuk respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet do ta bartin vetë përgjegjësinë. Policia e ka të pamundur të jetë e pranishme në secilën pikë.
Rruga Drenas – Komoran kalohet me vështirësi. Aktualisht mbesin të pakalueshme këto rrugë:
Drenas – Guri i Plakës, Drenas – Kroi i Mbretit, Shtrubullovë – Korroticë e Ulët, dhe Rruga që lidh Komorani 1 me Komoranin 3.
Falënderojmë Njësinë e Zjarrfikësve, Policinë dhe qytetarët të cilët janë duke ndihmuar në ballafaqimin me këtë fatkeqësi natyrore.
Dalja në rrugë kërkon kujdes të shtuar dhe është e obligueshme respektimi i ndalimit të qarkullimit kur vendi është i ndërprerë me shirit.
