Gjyqi i madh drejt fundit, hulumtuesja e Tribunalit të Hagës flet për pritjet për katërshen e UÇK-së
Nga Blerta Agushi
12 orë më parë
2.4k
34k
Share
Gjyqi i madh është para fazës më të rëndësishme të tij, ku në pranverë pritet të shqiptohet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Ky pritet të jetë viti vendimtar për katërshen e UÇK-së, të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet.
Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp flet për rëndësinë që ka vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, derisa kritikon Specialen për punën gjatë këtyre viteve.
Se cili do të jetë epilogu, sipas saj është vështirë të dihet, megjithatë përmend pasojat e mëdha që do të kishte shteti në rast se Gjykata Speciale do të mbështeste akuzat e prokurorisë.
Në Gjykatën Speciale deri më tani janë gjashtë persona të akuzuar për krime të pretenduara lufte, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala dhe Salih Mustafa. Shala është i dënuar me 13 vjet burgim, ndërkaq Mustafa me 15 vjet.
Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vite në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë, në intervistën për KosovaPress flet për zhvillimet kryesore gjatë vitit 2025 – vit që shënoi edhe dhjetë-vjetorin e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Janë gjashtë të akuzuar që u akuzuan për krimet e supozuara gjatë periudhës që kjo gjykatë kishte mandat. Ishte kryesisht periudha 1998-1999 deri në vitin 2000. Një rast, rasti Salih Mustafa, është përfunduar plotësisht. Rasti i Shalës është në proces për t’u finalizuar. Por më i rëndësishmi, Rasti Thaçi dhe të tjerët që përfshin katër udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është finalizuar ende. Këta njerëz janë në gjykatë në Hagë që nga viti 2020. Rasti pritet të përfundojë diku në vitin 2026, por vetëm instanca e parë. Pra, vlerësimi i parë i rëndësishëm i efikasitetit të kësaj gjykate është se nuk ka qenë shumë efikase. Ka vetëm gjashtë të akuzuar. Nga këta gjashtë, për katër personat kryesorë, ende nuk kemi as një vendim të instancës së parë, lëre më të përfunduar”, deklaron ajo.
Gjatë gjithë këtij procesi, Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.