Përmbytje dhe bllokim nga bora, si paraqitet situata në Shqipëri

Grupet e Emergjencave Civile kanë filluar prej orëve të para të ditës së sotme punën në terren në të gjithë vendin për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe të dëborës gjatë ditëve të fundit.
Ekipet po kryejnë vlerësimin e situatës dhe janë të angazhuara për të nisur procedurat e kompensimeve për familjet dhe banorët e prekur. Autoritetet lokale bëjnë thirrje për bashkëpunim nga banorët, në mënyrë që procesi të realizohet sa më shpejt dhe efikas.
Policia Bashkiake, në bashkëpunim me strukturat e Bashkisë Tiranë, ka stacionuar shërbime në disa akse rrugore dhe zona problematike brenda juridiksionit të Tiranës, ku ka prezencë bore dhe problematika nga moti i keq, raporton euronews.al, transmeton Periskopi.
Shërbimet kanë bërë të ditur se janë në terren për monitorimin e situatës, menaxhimin e qarkullimit për të parandaluar bllokimet. Janë vendosur mjete të posaçme për lirimin e rrugëve nga bora dhe dherat.
Sa i përket situatës në Vlorë, lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra duke risjellë përsëri përmbytje. Kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, që pritet të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra në orët në vijim.
Dëbora në fshatin turistik të Llogorasë ka bërë që të këtë dyndje të qytetarëve të Vlorës por edhe të mbërritur nga rrethet. Segmenti rrugor është pastruar nga bora dhe i është hedhur kripë, por përqëndrimi i automjeteve përgjatë tij ka bërë që të jetë mes trafikut.
Reshje dëbore janë regjistruar dhe mbrëmjen e djeshme si dhe mëngjesin e sotëm. Aksi rrugor është i pastruar dhe është hedhur kripë. Në aksin rrugor të Qafës së Vishës janë vendosur sinjalistika për shkak të rrëshqitjes së dherave.
Reshjet me intensitet të lartë të dëborës kanë shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Librazhd–Peshkopi, duke krijuar vështirësi serioze për qarkullimin. Dhjetëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar me mjetet e tyre në zonën e njohur si “Shkalla e Lunikut”.
Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë përfshirë zonën e Gjirokastrës kanë sjellë probleme për objektet ” Monument Kulture” gjithashtu. Në zonën historike të qytetit dhe rrethinat për shkak të motit të keq janë regjistruar dëmtime të vlerave arkitektonike dhe ndërtimore në disa godina të gurta.
Në Fushë Krujë , reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në Malësinë e Krujës kanë bërë që trashësia e dëborës të shkojë deri në 25 centimetra. Për pasojë është bllokuar aksi rrugor Krujë-Qafështamë si dhe fshatrat në zonë kanë mbetur të izoluara. Është rritur ndjeshëm niveli i lumit Ishëm. Qindra hektarë tokë vijojë të jenë nën ujë. Dy lagje të fshati Murqinë janë të izoluara pasi janë të rrethuara nga uji.
Në Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë përsëri nga shtrati. Rritja e nivelit të ujit ka vijuar të lërë nën ujë qindra ha toka bujqësore si dhe ka shtuar praninë e ujit në disa banesa.
Në njësitë Dardhas, Trebinjë dhe Velçan në Pogradec trashësia e dëborës ka kaluar mbi 20 cm duke pamundësuar lëvizjen e mjeteve të vogla. Qarkullimi në akset rurale në këto njësi nga fshatrat drejt njësive administrstive bëhet vetëm me mjete të larta dhe duke përdorur zinxhirë.
Aktualisht të bllokuara edhe si pasojë e shkarjes së dherave është aksi rural Kalivaç-Dunicë në njësinë Trebinjë, rruga e fshatit Zall Torrë në njësinë Proptisht e pakalueshme nga mjetet për shkak të rrëshqitjes së dherave, rrëshqitje në këtë njësi ka edhe në Slabinjë e Selishtë, po ashtu në të njëjtën gjendje është edhe rruga rurale e fshatit Laktesh në njësinë Velçan
Në Shkodër situata paraqitet e qëndrueshme. Rreth 525 ha tokë vijojnë të jenë të përmbytura. Në Obot ka prezencë uji në afërsi të oborreve dhe kalimi realizohet me mjetet e ushtrisë.
Në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz vijojnë reshje dëbore rreth 10- 15 cm. Nuk raportohen problematika.
Bllokohet aksi Librazhd–Peshkopi nga dëbora, dhjetëra automjete në zonën e Lunikut
Përmbytjet, Rama: Gati plani për shpërblimin e dëmeve, presim rezultatin nga verifikimi
Policia bllokon rrugën Matogjin-Bashaj, shkak rreziku i rrëshqitjeve të dheut
Dëme nga përmbytjet në Dimal, nën ujë landfilli i Kuçovës dhe disa ferma
Përmbytjet në Novoselë, grupet e emergjencave nisin verifikimin e dëmeve./Periskopi/
