Protestat pas vrasjes së gruas 37-vjeçare, Departamenti i Sigurisë Kombëtare në SHBA dërgon qindra oficerë policie shtesë në Minesota

Ministria e Sigurisë Kombëtare e Shteteve të Bashkuara po dërgon “qindra” efektivë policie shtesë në Minesota, një ditë pasi dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Mineapolis për të protestuar kundër vrasjes me armë zjarri të 37-vjeçares Rene Good, e qëlluar për vdekje nga një oficer i Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE).
Lajmi u bë i ditur sot nga ministrja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se forcat shtesë do të dislokohen sot dhe të hënën, me qëllim forcimin e sigurisë së punonjësve të ICE, Doganave dhe Patrullës Kufitare që ndodhen tashmë në Minesota. Deklaratat ajo i bëri gjatë emisionit “Sunday Morning Futures” në rrjetin televiziv Fox News, raporton Panaroma.al, transmeton Periskopi.
Sipas Noem, rreth 2.000 oficerë federalë janë dërguar tashmë në zonën Mineapolis–Saint Paul, në kuadër të operacionit më të madh që ka zhvilluar ndonjëherë Ministria e Sigurisë Kombëtare në këtë rajon.
Forcimet policore ishin planifikuar të nisnin pavarësisht faktit se më shumë se 1.000 tubime proteste ishin paralajmëruar në mbarë vendin gjatë këtij fundjave. Protestat lidhen me politikat e ashpra të qeverisë federale për dëbimet, si edhe me vrasjen e 37-vjeçares Rene Good, e cila u qëllua për vdekje të mërkurën nga një oficer i ICE./Periskopi/
