Gjyqi për dosjen “Partizani”, avokati i Berishës kërkon Ramën si dëshmitar

Gjyqi për dosjen “Partizani”, avokati i Berishës kërkon Ramën si dëshmitar

U mbajt këtë të hënë, në orën 11:00, në GJKKO seanca e radhës e gjyqit në themel për ish-kryeministrin Sali Berisha, në kuadër të dosjes “Partizani”.

Gjatë seancës, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj, kërkoi thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama. Po ashtu, Gjokutaj kërkoi edhe thirrjen e oficerit të BKH-së, Besmir Karanxha, të cilin e cilësoi si aktivist të Partisë Socialiste, duke iu referuar edhe një fotografie të tij gjatë fushatës elektorale.

Avokatja tjetër e ish-kryeministrit deklaroi se hetimi penal ndaj Berishës është i nxitur politikisht dhe përbën përndjekje politike dhe jo ndjekje penale. Sipas saj, kallëzimi është bërë nga Taulant Balla dhe procedimi penal është regjistruar brenda ditës. Ajo theksoi se pas marrjes së pushtetit nga shumica parlamentare janë urdhëruar kontrolle, por aktet e tyre nuk janë depozituar dhe nuk gjenden as në arkiva, as si fotokopje për vitin 2014.

Sipas mbrojtjes, është ngritur një task-forcë nga kryeministri Edi Rama për të realizuar një komision të ndaluar nga Kushtetuta dhe GJEDNJ për rishikimin e kalimeve të pronave te pronarët, pa asnjë rezultat. Avokatja shtoi se Berisha është hetuar nën masë shtrënguese me pretendimin se mund të ndikonte në prova, ndërkohë që ngjarjet i përkasin 15 viteve më parë dhe provat ndodhen në arkivat e institucioneve që drejtohen sot nga pala paditëse.

Avokatja e ish-kryeministrit, Klodiana Gjyzari, ngriti pyetje e habitur se ça lidhje kishte vizita e këngëtarit Riccardo Cocciante me Partinë Demokratike.

Mbrojtja deklaroi se prokuroria, në përpilimin e akuzës, fillimisht ka përcaktuar autorin dhe më pas veprën penale, duke argumentuar se i vetmi pretendim është fuqia që Berisha kishte nga ushtrimi i detyrës si kryeministër, por jo mënyra e kryerjes së veprës penale.

Sipas avokates nuk ka asnjë provë nga prokuroria që Berisha të ketë përfituar nga Fatmir Bektashi.

“Sipas prokurorisë do e merrte përfitimin (mitën) pasi la postin e kryeministrit në 2013, konkretisht në 2015. Pra, z. Berisha ka qenë edhe parashikues në marrëveshjen e pretenduar me Bektashin”, tha avoktja e zotit Berisha.

Mbrojtja theksoi se nuk ekziston akt shpronësimi, por vetëm akti i shpronësimit të padrejtë nga shteti komunist dhe se kthimi i pronave familjes Begeja është vonuar nga shteti shqiptar. Sipas tyre, në këtë logjikë, Jamarbër Malltezi do të rezultonte gjithmonë subjekt hetimi për pronat e tij në çdo moment që do ti riktheheshin.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti