Ministria hapi tenderin për intervenim në autostradën “Ibrahim Rugova”, nëntë muaj pas rrëshqitjes së dheut

Ministria hapi tenderin për intervenim në autostradën “Ibrahim Rugova”, nëntë muaj pas rrëshqitjes së dheut

Saktësisht nëntë muaj e 14 ditë pas rrëshqitjes së dheut në kilometrin e 27-të të autostradës “Ibrahim Rugova”, Ministria e Infrastrukturës hapi tender për të intervenuar në atë pjesë.

Kjo ministri, më 05.03.2025 kishte njoftuar për bllokimin e këtij segmenti dhe si rrjedhojë automjetet që qarkullojnë nga Morina në drejtim të Prishtinës që nga ajo kohë detyrohen të devijojnë dhe të kalojnë në korsinë tjetër të autostradës.Pikërisht aty ku nis devijimi, më 12.12.2025, në një aksident vdiqën dy shtetase të Shqipërisë. Një ditë pas, po në të njëjtin vend, ndodhi një aksident tjetër, por pa pasoja në njerëz.

Vetëm pas humbjes së dy jetëve, konkretisht shtatë ditë pas aksidentit, Ministria e Infrastrukturës vendosi të iniciojë tenderin për të sanuar rrëshqitjen e dheut.

Por tenderi i hapur më 19.12.2025 parasheh sanimin e rrëshqitjeve vetëm në katër lokacione.

Për shkak të mungesës së buxhetit, siç kishte konfirmuar ministri në detyrë, Hysen Durmishi dhe bazuar në dosjen e tenderit, intervenimi do të bëhet vetëm në vendet që janë vlerësuar më kritike.

Vlera e parashikuar e tenderit “Sanimi i pjerrtësive – skarpateve në Autoudhën R7 (Ibrahim Rugova), Morinë – Gjurgjicë” është 5.9 milionë euro dhe është i ndarë në tri lote.

Nga Ministria e Infrastrukturës kanë ndarë detaje duke treguar saktësisht vendet ku parashihen ndërhyrjet, meqë në dosjen e tenderit pati paqartësi në llogaritjen e kilometrave përgjatë autostradës.

“Gjatë hartimit të projektit, kompania projektuese matjet i ka filluar nga rrethrrotullimi në fshatin Trudë, ku pjesë e këtyre matjeve është llogaritur edhe segmenti i rrugës nacionale N9 Bresje – Gjurgjicë, andaj edhe ka paqartësi në kilometrazh. Ju sqaroj se të gjitha rrëshqitjet që janë tenderuar janë në segmentin e autoudhës Vërmicë – Gjurgjicë.

Sanimi i rrëshqitjes së parë është përafërsisht në km 27 (te Golden Eagle), e cila është publikuar si km 74.2; rrëshqitja e dytë, përafërsisht në km 32 (Suharekë), e cila është publikuar si km 69.1; rrëshqitja e tretë, përafërsisht në km 38 (fshati Sllapuzhan), e cila është publikuar si km 63.1; dhe rrëshqitja e katërt, përafërsisht në km 57 (fshati Orllat), e cila është publikuar si km 44.” – sqaroi Rexhë Osmanaj, ushtrues detyre i drejtorit në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore.

Për lotin e parë, planifikohet të shpenzohen 2.6 milionë euro. Vlera e parashikuar për lotin e dytë është 1.6 milion euro, ndërsa për lotin e tretë janë paraparë 1.7 milion euro.Operatorët ekonomikë patën kohë t’i dorëzonin ofertat e tyre deri më 01.06.2026.

Dy vjet vetëm për ta hartuar projektin

Procedurat e prokurimit për të intervenuar në vendet ku ka rrëshqitje të dheut kishin filluar para se të bllokohej kahja nga Prizreni për në Prishtinë, në kilometrin e 27-të, më 05.03.2025.

Por Ministrisë së Infrastrukturës i ishte dashur kohë e gjatë vetëm për ta nënshkruar kontratën për hartimin e projektit.

Tenderi me titull “Hartimi i projektit zbatues për ri-shtresimin e shtresës qarkulluese dhe sanimin e pjerrtësive – skarpateve në autoudhën R7 (Ibrahim Rugova) – Morinë – Gjurgjicë dhe Bresje – Besi” ishte iniciuar më 31.01.2024, teksa kontrata ishte nënshkruar vetëm pas një viti, më 21.01.2025.

Kjo procedurë e prokurimit ishte pezulluar tri herë, pas kërkesave për rishqyrtim nga operatorët ekonomikë. Aktiviteti i prokurimit ishte pezulluar fillimisht më 24.04.2024, pastaj më 10.06.2024, ndërsa së fundmi më 19.09.2024.

Kurse më 15.10.2025 ishte nënshkruar edhe një kontratë për punë shtesë në kuadër të këtij tenderi. Duke përfshirë këtë kontratë, vetëm për hartimin e projektit për sanimin e rrëshqitjeve të dheut, Ministrisë së Infrastrukturës i janë dashur një vit e tetë muaj, apo 623 ditë.

Rexhë Osmanaj, ushtrues detyre i drejtorit në Departamentin e Infrastrukturës Rrugore, kishte deklaruar se vonesat në procedurat e prokurimit duhet të adresohen në Zyrën e Prokurimit. Sidoqoftë, ai tha se dosja e tenderit për sanimin e rrëshqitjeve të dheut është duke u përgatitur.

“Tash, të them të drejtën, sa i përket procedurave të prokurimit, mundeni me kontaktu me drejtorin e prokurimit. Ajo çka mundem me thanë është se projekti është hartuar dhe këto javët e fundit kemi qenë në përgatitje të dokumentacionit për inicimin e procedurës së prokurimit për sanimin e rrëshqitjeve. Po shpresoj që deri në fund të javës të iniciohet procedura për sanimin e disa rrëshqitjeve, sepse kemi shumë rrëshqitje. Me projekt ka dalë vlera më e madhe se sa e kemi, mirëpo i kemi zgjedhur disa rrëshqitje që janë më kritike” – ka thënë Osmanaj më 15.12.2025.

Sipas tij, pa pasur projekt të hartuar, nuk ka qenë e mundur inicimi i procedurave për ndërhyrje aty ku ka rrëshqitje të dheut.

“Pa e pasur projektin s’kemi mujt me iniciu procedurë. Për atë është iniciuar procedura për me e ba projektin fillimisht, se është punë e madhe që ka me u ba. Është dashtë me u bo shqyrtime gjeomekanike prej kompanisë projektuese. Në momentin që kemi pranuar projektin, është kontrolluar, është bërë pranimi i projektit dhe kemi zgjedhur cilat rrëshqitje mundemi. Qysh dy javë kemi qenë duke e përgatitur dosjen, por pa projekt s’kemi mujt me iniciu ndonjë procedurë pa e ditë çka duhet me intervenu aty” – theksonte Osmanaj asokohe.

Ai konfirmonte se komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës kishte bërë pranimin e projektit në tetor të vitit 2025.

Ndriçim Mustafa, shef i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte thënë se Zyra e Prokurimit nuk mund të mbahej përgjegjëse për këto vonesa. Sipas tij, vonesat kryesisht kishin ndodhur për shkak të ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

“Punën e zvarritjes nuk mund të themi që e ka bërë prokurimi, Zyra e Prokurimit. Zakonisht vonesat po ndodhin kur ka ankesa në OSHP dhe kërkesa për rishqyrtim. Zakonisht, ankesat po ndodhin në OSHP, trajtimi i tyre për shkak të lëndëve të mëdha që po shkojnë atje. Mirëpo, në vitin 2024 nuk kam qenë pjesë e Infrastrukturës, nuk jam në ngjarje” – ka deklaruar Mustafa për KALLXO.com më 15.12.2025.

Edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pati vlerësuar se zvarritjet nuk varen prej ministrisë që ai e drejton. Duke premtuar intervenim të shpejtë në disa prej rrëshqitjeve që rrezikojnë qarkullimin e qytetarëve, Durmishi tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm.

“Zvarritjet nuk varen prej meje, por varen prej OSHP-së. Ne kemi filluar procedurën, e kemi bërë edhe projektin komplet, është duke u përgatitur dokumentacioni për me fillu procedurën për me i trajtuar të gjitha rrëshqitjet në rrugën ‘Ibrahim Rugova’. Tash ne nuk kemi kontrata për me intervenu menjëherë kur ndodhin rrëshqitjet, kudo që ato ndodhin. Por krejt çka bëjmë është vendosja e sinjalistikës. Aty e kemi bërë devijimin, kemi vendosur sinjalistikë, mirëpo edhe qytetarët që qarkullojnë duhet t’i kenë parasysh kushtet atmosferike gjatë vozitjes, me e respektu sinjalistikën e këto” – theksonte Durmishi më 15.12.2025.

Derisa Ministria e Infrastrukturës zvarritjet në procedura të prokurimit ia atribuon Organit Shqyrtues të Prokurimit, kjo e fundit vendimin e fundit në lidhje me tenderin “Hartimi i projektit zbatues për ri-shtresimin e shtresës qarkulluese dhe sanimin e pjerrtësive – skarpateve në autoudhën R7 (Ibrahim Rugova) – Morinë – Gjurgjicë dhe Bresje – Besi” e kishte marrë më 14.11.2024.

OSHP kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “3D – Project”. Para këtij vendimi, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte nxjerrë edhe një vendim tjetër më 30.07.2024. Pas ankesës së operatorit ekonomik “IMK Ballkan Projekt”, aktiviteti i prokurimit ishte kthyer në rivlerësim.

Për këtë tender, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte pranuar vetëm dy ankesa. Kontrata për hartimin e projektit ka vlerën 98 mijë e 160 euro, teksa operatori ekonomik me të cilin ishte nënshkruar kjo kontratë është “IMK Ballkan Projekt”. /Kallxo/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti