Çështja e Grenlandës, Rutte: NATO-ja po shqyrton hapat e radhës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të hënën se çështja e Grenlandës është shumë e rëndësishme për Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe tregoi se vendet anëtare po punojnë për garantimin e sigurisë së ishullit.
“Kemi tetë vende arktike, shtatë janë në NATO, i vetmi që nuk është, është Rusia. Duhet ta garantojmë sigurinë dhe për këtë po bisedojmë. Duam që Arktiku të mbetet i sigurt. Rusia është kërcënimi kryesor për NATO-n dhe Evropën”, tha Rutte në një konferencë për shtyp në Zagreb.
Këto janë fjalët e para publike të kreut të NATO-s për ishullin e arktikut qëkurse presidenti amerikan, Donald Trump, e ritheksoi më 4 janar synimin e Shteteve të Bashkuara për ta përvetësuar Grenlandën.
Rutte qëndroi ishte për herë të parë në vizitë zyrtare në Zagreb si shef i aleancës më të madhe ushtarake në botë.
Bashkëbiseduesi i tij, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, theksoi se të gjithë aleatët duhet ta respektojnë njëri-tjetrin.
“Ne e respektojmë faktin se Grenlanda është pjesë e Danimarkës dhe jemi të bindur se përmes dialogut mund të gjendet zgjidhja më e mirë”, theksoi kryeministri i Kroacisë.
Rutte e mohoi se synimi i SHBA-së në Grenlandën përbën krizën më serioze për Aleancën. Ai theksoi se e përshëndet faktin se vendet që kufizohen me Arktikun janë bashkuar dhe kanë vendosur të përfshijnë një angazhim më të madh të NATO-s në atë rajon.
Rutte gjithashtu vlerësoi se presidenti amerikan ka pasur ndikim të mirë në Aleancë, pasi i ka nxitur vendet anëtare t’i rrisin shpenzimet për mbrojtjen, duke shtuar se pa këtë trysni nuk do të kishte unitet rreth rritjes së buxheteve për mbrojtjen.
Ai theksoi se NATO-ja bashkëpunon me partnerët në Arktik, të cilët kanë kërkuar angazhim më të madh të aleancës.
Si shembull, ai e përmendi Danimarkën, e cila, sipas tij, po përshpejton investimet e veta në mbrojtje, po blen pajisje të reja ushtarake dhe mjete ajrore pa pilot, si dhe po forcon ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse, përfshirë edhe sigurinë e Grenlandës.
S’ka njëzëshmëri për anëtarësimin e Ukrainës në NATO
Lufta në Ukrainë ishte gjithashtu në qendër të bisedimeve të Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës me zyrtarët kroatë.
Rutte e pranoi se mes vendeve anëtare nuk ka qëndrim të përbashkët lidhur me anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“E dimë se disa aleatë, përfshirë Hungarinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa të tjerë, ose janë kundër, ose janë shumë skeptikë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Ky është fakt”, tha Rutte.
Ai e lavdëroi Kroacinë për mbështetjen për Ukrainën, duke theksuar se ky vend që nga fillimi i luftës ka kontribuar me më shumë se 300 milionë euro në formën e pajisjeve ushtarake, helikopterëve dhe pajisjeve mbrojtëse.
“Siguria e Ukrainës është edhe siguria jonë”, theksoi Rute.
Ndërkohë, Pllenkoviq nënvizoi se Ukraina në terren nuk po mbron vetëm lirinë e saj, por edhe demokracinë, vlerat dhe sigurinë e kontinentit evropian.
“Prandaj, është e rëndësishme të kuptojmë se pasojat e agresionit rus kanë qenë më se të dukshme në të gjithë kontinentin – në Kroaci, në situatën tonë energjetike, përmes krizës energjetike, presioneve ekonomike dhe sociale, si dhe inflacionit”, tha Pllenkoviq. /REL
