Komisioni Evropian i bën thirrje Kosovës ta ratifikoje sa më shpejt marrëveshjen për Planin e Rritjes

Kosova duhet ta ratifikojë menjëherë marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes – sapo ta formojë Kuvendin e ri – në mënyrë që të fillojë t’i pranojë miliona euro nga kjo paketë financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian (KE).
Kosova ishte ndër të parat që e miratoi agjendën e reformave në vitin 2024, por nuk ka qenë në gjendje t’i gëzojë të hollat për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional për ta ratifikuar marrëveshjen formale me bllokun.
“Është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të popullatës së saj”, tha zëdhënësi.
Kosova pritet ta bëjë Kuvendin e ri në javët në vijim, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Partia e Kurtit i fitoi 57 vende dhe pritet të udhëheqë edhe për një mandat të tretë katërvjeçar.
Për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë me BE-në, nevojiten 80 vota në Kuvendin me 120 ulëse, që nënkupton se janë të nevojshme edhe votat e opozitës.
Pa ratifikimin e marrëveshjes, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë.
Plani i Rritjes është një paketë financimi e BE-së për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën – me qëllim të përafrimit të këtyre ekonomive me standardet evropiane.
Nga pakoja, 2 miliardë euro janë fonde të pakthyeshme, ndërsa 4 miliardët tjerë jepen në formën e kredive të volitshme. Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
Përveç ratifikimit të marrëveshjes, Kosova duhet të përmbush gjithashtu hapave brenda afateve të përcaktuara për t’i pranuar të hollat.
Ajo e ka përgatitur agjendën reformuese bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së, ndërsa reformat në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit kanë janë thelbësore për të përfituar mjete nga ky Plan.
Në rast se ndonjë hap nuk përmbushet brenda afatit të caktuar, përfituesit i jepet mundësia që ta përmbushin atë ende brenda periudhës së ashtuquajtur “periudhë shtesë”, sipas zëdhënësit të bllokut.
Kjo është dy vjet për hapat që duhej të përmbusheshin në dhjetor 2024 dhe një vit për të gjithë hapat që duhej të përmbushen në qershor 2025 dhe më pas.
“Nëse një hap nuk përmbushet deri në fund të periudhës së faljes, partneri përfitues i humb fondet e alokuara për atë hap”, theksoi ai./REL/ Periskopi/
