Nuk ndalen telashet në LDK: Jep dorëheqje anëtari i kryesisë në Prizren

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Haziz Dodaj, ka njoftuar dorëheqjen e tij nga Kryesia e Degës së LDK-së, duke kritikuar ashpër mënyrën e vendimmarrjes brenda partisë dhe duke kërkuar përgjegjësi politike.
Përmes një postimi në Facebook, Dodaj ka theksuar se në vend të reflektimit për humbjet e njëpasnjëshme, në LDK po mbizotëron papërgjegjësia, e cila sipas tij vetëm sa i thellon gabimet.
Ai ka kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e Driton Selmanajt, duke vlerësuar se shkelja e fjalës së dhënë, mungesa e komunikimit dhe përjashtimi i parimeve e bëjnë dorëheqjen “të vetmen rrugë të ndershme”.
“Dorëheqja nuk është ikje nga përgjegjësia, por akt dinjiteti për të mos u bërë pjesë e pabesisë”, ka shkruar Dodaj, duke shtuar se është më mirë të largohesh me nder sesa të qëndrosh aty ku, sipas tij, është shkelur besa.
Ai ka bërë të ditur se vendimi për largim nga Kryesia vjen si pasojë e, siç i quan ai, vendimeve arbitrare, të marra pa konsultim, pa marrëveshje dhe jashtë vendimeve të Kryesisë, të cilat cenojnë parimet dhe besimin brenda partisë.
Dodaj ka theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë besnik ndaj parimeve të tij dhe besimit të votuesve, duke e cilësuar këtë si detyrim moral që nuk e shkel në asnjë rrethanë.
Në fund të reagimit, ai ka bërë edhe një thirrje publike ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, duke kërkuar që emërimet e drejtorëve nga radhët e LDK-së të mos bëhen pa pëlqimin dhe konsultimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga kjo parti, me përjashtim të drejtorit të Urbanizmit.
Ndërkohë, dorëheqje nga të gjitha funksionet në LDK ka dhënë edhe Fejzë Kabashi. Ai ka bërë të ditur se vendimi i tij vjen pas një njoftimi me SMS nga kryetari i degës, përmes të cilit, sipas tij, janë caktuar përfaqësuesit e LDK-së në ekzekutivin lokal pa asnjë diskutim paraprak në Kryesi.
“U hodh poshtë fjala e dhënë se përfaqësuesit për ekzekutivin lokal do të diskutoheshin dhe vendoseshin së bashku në Kryesi. Kjo, së bashku me mosvlerësimin tim dhe të rajonit të Hasit, më detyroi të jap dorëheqje nga të gjitha funksionet”, ka shkruar Kabashi.
