Si e morën vesh lojtarët e Real Madridit për largimin e Xabi Alonsos

Skuadra e Real Madrid u habit plotësisht nga shkarkimi i papritur i trajnerit Xabi Alonso, duke mësuar lajmin vetëm përmes deklaratës zyrtare të klubit.
Askush në dhomën e zhveshjes nuk e priste një vendim të tillë në këtë pikë të sezonit, veçanërisht pas atmosferës së qetë dhe ndjesisë pozitive që mbizotëroi pas finales së Superkupës së Spanjës, edhe pse Real Madridi humbi ngushtë ndaj Barcelonës.
Lojtarët nuk kishin asnjë paralajmërim për këtë vendim dhe e morën lajmin me habi, kur klubi postoi në rrjetet sociale.
Pas finales, grupi e kishte marrë si të mirëqenë vazhdimin e punës së trajnerit. Nuk kishte asnjë tregues se bordi i klubit po shqyrtonte një ndryshim në stol, shkruan Marca.
Përkundrazi, atmosfera në skuadër ishte pozitive, dhe lojtarët besonin se projekti i Xabit po ecte sipas planit, siç u duk edhe nga përqafimi i tij me presidentin Florentino Pérez gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve.
Prandaj, njoftimi i largimit të tij ka qenë një tronditje e madhe për ekipin. Disa lojtarë pranojnë privatisht se e morën vesh vetëm nga deklarata zyrtare, pa asnjë paralajmërim paraprak, gjë që i la të hutuar.
Marrëdhënia mes trajnerit dhe dhomës së zhveshjes kishte qenë mjaft e qetë në javët e fundit, ndaj vendimi erdhi papritur.
Tani, skuadra do të duhet të riorganizohet shpejt për të përballuar angazhimet e ardhshme, duke u përshtatur me një ndryshim të papritur në stol dhe mbërritjen e Álvaro Arbeloa, i cili vjen nga një shkollë e ngjashme me atë të Xabit dhe do të përpiqet të ruajë vazhdimësinë e projektit. /Telegrafi/ Periskopi/


