Messi, Modriç, Theo e Silva – shumë yje të lidhur me Comon

Como 1907 po kthehet gjithnjë e më shumë në një nga projektet më interesante të futbollit italian.
Klubi, i cili ka ambicie të qarta për rritje në Serie A, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për shkak të emrave të mëdhenj që janë lidhur me të gjatë muajve të fundit.
Para se në media të përmendej Bernardo Silva si një objektiv i mundshëm, Como ishte lidhur edhe me disa prej futbollistëve më të njohur në botë, shkruan “Tuttomercatoweb”, transmeton Periskopi.
Njëri prej tyre ishte Lionel Messi, emër që u përmend publikisht edhe nga Cesc Fàbregas, i cili theksoi se në futboll “kurrë nuk duhet thënë kurrë”, duke aluduar edhe në marrëdhënien e mirë personale mes tyre.
Një tjetër emër i bujshëm ishte ai i Luka Modriç, mesfushorit kroat që më herët ishte përfolur për një transferim të mundshëm te Como, përpara se ta vazhdonte karrierën në Serie A me Milanin.
Po ashtu, në listën e lojtarëve të lidhur me klubin ka qenë edhe Theo Hernández, mbrojtësi i njohur francez.
Përveç tyre, media italiane ka përmendur edhe futbollistë të tjerë si Douglas Luiz, si dhe sulmuesit Mauro Icardi dhe Jamie Vardy, të cilët janë lidhur me Como në periudha të ndryshme.
Edhe pse shumica e këtyre emrave kanë mbetur vetëm në kuadër spekulimesh, ato tregojnë qartë ambicien e madhe të klubit dhe dëshirën për ta ngritur Comon në një nivel më të lartë në futbollin italian dhe evropian.
