Pjesë e grupit të ‘Çopjave’, detaje nga arratisja e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit

Detaje të reja janë zbuluar nga arratisja e të arrestuarit Altin Ndoci nga ambientet e spitalit rajonal të Durrësit.
Ngjarja – e cila ka vënë në gatishmëri strukturat policore në vend – ndodhi paraditen e këtij 13 janari teksa Ndoci po merrte mjekimin pranë infektivit të spitalit.
Nga informacionet e fundit thuhet se në parkimin e spitalit e priste një automjet tip Audi A7, me ngjyrë të bardhë.
Raportohet se menjëherë pas largimit nga ambientet e spitalit, Ndoci është futur në këtë automjet, i cili thuhet se është larguar në drejtim të zonës së Spitallës.
Policia ndërkohë ka nisur kontrolle intensive në Durrës dhe zonat përreth.
Po ashtu janë ngritur pika kontrolli dhe po verifikohen kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit të dyshuar të largimit.
Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që arratisja të ketë qenë e mirëorganizuar, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e lartë të Ndocit.
Ndoci është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK për vepra të rënda penale teksa është akuzuar për vrasjen e katër personave. Ai është arrestuar nga SPAK në Tiranë gjashtë vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”, i akuzuar për vrasje me pagesë, grabitje dhe trafik droge.
Ndoci ka qenë pjesë e grupit kriminal të “Çopjave”, të Elbasanit. Ai u akuzua nga SPAK për katër vrasje në Durrës, përfshirë edhe ekzekutimin e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.
Pas ngjarjes, Drejtoria e Burgjeve ka reaguar duke theksuar se pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali”, thuhet në reagim.
“Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Policia ka ngritur postblloqe që të bëjë të mundur kapjen e tij. Po ashtu po vëzhgohen të gjitha kamerat e sigurisë në spital, por dhe përgjatë rrugëve.
Ndoci ishte shoqëruar nga paraburgimi i Durrësit për në spitalin e qytetit, për të kryer një vizitë mjekësore te infektivi, në katin e tretë të spitalit, i cili ka edhe repartin e posaçëm të sigurisë për të dënuarit.
Nga burgu drejt spitalit mësohet se atë e kanë shoqëruar 5 policë, shoferi dhe 4 efektivë. Dy prej efektivëve qëndruan në makinë bashkë me drejtuesin, ndërsa dy të tjerë e shoqëruan brenda spitalit.
Thuhet se i paraburgosuri, gjatë vizitës, ka kërkuar të shkojë në tualet. Njeri prej policëve të burgjeve e ka shoqëruar.
Por në këtë moment, kur sapo ka dalë nga tualeti, thuhet se Altin Ndoci, e ka qëlluar punonjësin e sigurisë dhe është larguar duke zbritur me shpejtësi shkallët nga kati i tretë i infektivit.
Si u zbuluan krimet e Ndocit?
Rrëfimi i 22-vjeçarit K.A. çoi në zbulimin e një grupi kriminal me origjinë nga Puka, i cili dyshohet se ka vepruar në trafikun e drogës dhe grabitje të armatosura në zonat e Durrësit, Fierit dhe Tiranës.
\A.K., personi i parë i arrestuar, u vu nën presion pasi u identifikua përmes gjurmëve të gishtave dhe njollave të gjakut të gjetura nga policia në një automjet tip “Toyota”, i braktisur nga autorët e ngjarjeve.
Pas këtyre provave, ai pranoi të bashkëpunojë me policinë kriminale dhe prokurorinë, duke dhënë detaje konkrete, emra dhe rolet e secilit pjesëmarrës në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në qytetin e Durrësit.
Dëshmia e tij ka hedhur dritë edhe mbi një tjetër ngjarje të rëndë kriminale, atë të ekzekutimit të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, më 2 mars 2020, po në Durrës.
Në bazë të këtyre deklarimeve, policia arrestoi në Tiranë Altin Ndocin, me origjinë nga Puka dhe banues në kryeqytet. Katër persona të tjerë u shpallën në kërkim, pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në katër vrasje të ndodhura brenda më pak se dy muajsh në Durrës.
Ndoci thuhet se kishte njohje dhe lidhje me viktimat Besmir dhe Viktor Haxhia. Kjo lidhet jo vetëm me dyshimet për përfshirje në aktivitetin e trafikut të drogës, por edhe me faktin se Ndoci dhe vëllezërit Haxhia ishin nga e njëjta zonë, ajo e Pukës.
Ndoci rezultoi gjithashtu të ketë lidhje shoqërore me Arben Muçon, i cili u arrestua në vitin 2018 në Fier për tentativë grabitjeje me armë ndaj familjes së Minella Muçit dhe për tentativë vrasjeje ndaj punonjësve të policisë.
Policia thuhet se po verifikon edhe rolin e Ndocit në këtë ngjarje, ku grabitja dështoi falë reagimit të shpejtë të policisë së Fierit.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë 20-vjeçari Xhuljan Sollaku, ndërsa Arben Muço u plagos dhe u arrestua. Personat e tjerë që ndodheshin me ta atë natë të marsit 2018 arritën të largohen dhe vijojnë të jenë ende në kërkim nga policia. /AP/
