Prokuroria e Koresë së Jugut kërkon dënim me vdekje për ish-Presidentin, Yoon Suk Yeol

Prokuroria e Koresë së Jugut kërkon dënim me vdekje për ish-Presidentin, Yoon Suk Yeol

Prokuroria e Koresë së Jugut ka kërkuar që ish-presidenti Yoon Suk Yeol të dënohet me vdekje, nëse shpallet fajtor për përpjekjen e dështuar për të vendosur ligjin ushtarak në dhjetor të vitit 2024.

Gjatë seancës përfundimtare në një gjykatë në Seul, prokurorët e përshkruan Yoon si “organizatorin kryesor të një kryengritjeje”,akuza më e rëndë me të cilën ai përballet, raporton BBC. Sipas ligjit të Koresë së Jugut, drejtimi i një kryengritjeje dënohet vetëm me burgim të përjetshëm ose me vdekje, dhe prokuroria është e detyruar të kërkojë njërin prej këtyre dënimeve.

Çështja lidhet me vendimin e Yoon për të shpallur ligjin ushtarak më 3 dhjetor 2024, një masë që zgjati vetëm disa orë, por që e futi vendin në një krizë të thellë politike. Pas këtij veprimi, ai u shkarkua nga Parlamenti dhe u arrestua për t’u përballur me drejtësinë.

Yoon i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se shpallja e ligjit ushtarak ishte thjesht një gjest simbolik për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj shkeljeve të partisë opozitare.

Megjithatë, prokurorët argumentojnë se, edhe pse nuk pati viktima, qëllimi i Yoon ishte i dhunshëm. Si prova, ata paraqitën dëshminë e një komandanti ushtarak, i cili deklaroi se kishte marrë urdhër për arrestimin e ligjvënësve.

Gjithashtu, u përmend një memo e hartuar nga një ish-oficer ushtarak, pjesë e planifikimit të ligjit ushtarak, ku flitej për “eliminimin” e qindra personave, përfshirë gazetarë, aktivistë sindikalë dhe deputetë.

Procesi gjyqësor ndaj Yoon është bashkuar me atë të dy zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës së tij: ish-ministrit të Mbrojtjes Kim Yong-hyun dhe ish-drejtorit të policisë Cho Ji-ho. Vendimi dhe dënimi, nëse shpallen fajtorë, pritet të jepen më vonë, me gjasë në muajin shkurt.

Koreja e Jugut nuk ka ekzekutuar asnjë dënim me vdekje prej gati 30 vitesh. Në vitin 1996, ish-diktatori ushtarak Chun Doo-hwan u dënua me vdekje për grusht shteti, por më vonë dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm.

Ndërkohë, Yoon përballet edhe me procese të tjera penale. Vetëm muajin e kaluar, prokuroria kërkoi një dënim prej 10 vitesh burg për pengim të drejtësisë dhe akuza të tjera që lidhen me të njëjtën përpjekje për ligj ushtarak.

Edhe pse i rrëzuar nga pushteti, Yoon vijon të ketë mbështetës në qarqet e djathta, të cilët e shohin atë si një figurë që sfidoi Partinë Demokratike liberale.

Pas shkarkimit të tij, vendi u drejtua drejt zgjedhjeve të parakohshme, të cilat u fituan nga presidenti aktual, Lee Jae Myung.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti