KQZ nis sot rinumërimin e 914 nga 2,557 vendvotime të zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve nga gjithsej 2,557, ku është zhvilluar procesi i votimit më 28 dhjetor 2025.
Vendimi erdhi pas një raporti të verifikimit të votave të kandidatëve për 2% të vendvotimeve, i cili evidentoi mospërputhje në numërimin e votave.
Pas shikimit të videoincizimeve dhe verifikimit të brendshëm të 52 vendvotimeve, u konstatua se votat e kandidatëve në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputheshin me fletëvotimet.
Duke u mbështetur në këto gjetje, KQZ vendosi:
Në 10 komuna (Dragash, Kaçanik, Lespovik, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug) do të rinumërohen 100% e vendvotimeve.
Në 28 komuna të tjera, do të rinumërohen 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, bëri të ditur se nëse rinumërimi konfirmon manipulime të mundshme me votat, do të procedohen anëtarët e ekipeve të numërimit në organet kompetente.
Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar 2026, në orën 18:00.
