Suedia nis trupa për në Grenlandë

Oficerë të armatosur suedezë u nisën të mërkurën drejt Grenlandës me kërkesë të Danimarkës, njoftoi kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson.
Nuk është e qartë se sa oficerë do të dërgojë Stokholmi, por kryeministri suedez tha se ata janë pjesë e një grupi që përbëhet nga pjesëtarë të forcave të vendeve aleate, raporton televizioni BBC.
“Së bashku, ata do të përgatiten për elementet në ardhje brenda kornizës së ushtrimit danez, Operacioni Qëndresa Arktike” – tha Kristerssoni në një deklaratë të publikuar në internet.
Ditëve të fundit, Suedia i ka dalë në mbrojtje vendit fqinj, Danimarkës, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i përtëriu planet për ta marrë nën kontroll Grenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës.
Në një deklaratë të re, Danimarka tha se forcat e saj të armatosura “do ta zgjerojnë praninë e tyre” në Grenlandë dhe se një gjë e tillë do të bëhet “në bashkëpunim të ngushtë me aleatët”.
Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen, tha se “siguria në Arktik është me rëndësi jetike” për vendin e tij dhe se, së bashku me aleatët evropianë dhe të Arktikut, Danimarka “do të eksplorojë në javët në vijim se si prania e shtuar dhe aktiviteti me ushtrime në Arktik mund të zbatohet në praktikë”.
Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë tha se do të dërgojë 13 trupa në një mision zbulimi me vende të tjera evropiane. Misioni do të realizohet nga e enjtja deri të shtunën, me kërkesë të Danimarkës.
