“Nuk jam fajtor” – Të akuzuarit në rastin Banjska mohojnë përgjegjësinë para gjykatës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka nisur sot seancën e radhës gjyqësore për rastin e njohur si “Banjska”, që lidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të familjes së policit të vrarë Afrim Bunjaku, avokati Arianit Koci ka kërkuar respektimin e nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për një proces të rregullt dhe të drejtë gjyqësor, transmeton IndeksOnline.
Gjatë seancës, të akuzuarit kanë dhënë deklarimet e tyre lidhur me fajësinë para trupit gjykues. Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toviq kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të prononcohen rreth fajësisë, ndërsa Dushan Maksimoviq është deklaruar i pafajshëm.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 11 shtator 2024, ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë për sulmin terrorist në Banjskë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë kanë tentuar shkëputjen e pjesës veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimin e saj me Republikën e Serbisë.
Si pasojë e këtij sulmi, mbeti i vrarë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u rrezikua seriozisht jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe e popullatës civile.
