Granit Rugova shpall kandidaturën për kryetar të KB Prishtina: Kthim në rrugën e fitoreve dhe kupave

Ish-basketbollisti dhe zyrtari sportiv Granit Rugova ka shpallur zyrtarisht synimin e tij për të kandiduar për pozitën e kryetarit të Klubit të Basketbollit Prishtina, duke e cilësuar këtë hap si “obligim moral” ndaj klubit dhe qytetit.
Në një postim publik, Rugova thekson se vendimi i tij nuk buron nga ambicia personale, por nga bindja se posedon njohuritë, përvojën dhe energjinë e nevojshme për ta menaxhuar klubin dhe për ta rikthyer atë aty ku e meriton, në bashkëpunim me tifozët “Plisat”, qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë dashamirët e klubit.
“Prishtina ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime që nga paslufta. Në këtë klub jam rritur si basketbollist, si sportist dhe si njeri”, shkruan Rugova, duke kujtuar rrugëtimin e tij sportiv dhe momentet historike të përjetuara me fanellën bardhekaltër.
Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai ka vazhduar angazhimin në sport përmes roleve drejtuese në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe më pas si Drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës.
Sipas tij, kjo përvojë i ka dhënë një pamje të qartë për mënyrën se si duhet të udhëhiqet një klub i madh, me vizion, stabilitet dhe transparencë.
“Prishtina nuk është thjesht klub sportiv. Është identitet i kryeqytetit. Është krenari qytetare”, thekson Rugova, duke e cilësuar kandidaturën e tij si thirrje për bashkim, punë të ndershme dhe vizion të qartë.
Në fund të mesazhit, ai shpreh bindjen se me angazhim të përbashkët, klubi mund të rikthehet në rrugën e fitoreve dhe të trofeve.Bashkë mundemi dhe do t’ia dalim”, ka shkruar Rugova.
Postimi i plotë:
Bekë Berisha nuk i reziston presionit, jep dorëheqje nga KB Prishtina
