A e dinit se sulmet në zemër janë më të shpeshta gjatë dimrit

Për shumë njerëz, dimri është stina më magjike e vitit dhe kjo jo vetëm për shkak të festave të fundvitit por edhe për hijeshinë që bora ia jep natyrës.
Fushat dhe drunjt e mbuluara me borë duken si të dala nga një përrallë. Për më tepër, ajri duket më i pastër dhe më i freskët çdo mëngjes.
Pavarësisht nëse e doni apo e urreni këtë stinë, duhet të qëndroni. Këto fakte interesante rreth dimrit do t’ju lënë pa fjalë.
Sulmet në zemër janë më të shpeshta gjatë dimrit
Më shumë sulme në zemër ndodhin në dhjetor se në çdo periudhë tjetër të vitit, dhe shkencëtarët fajësojnë të ftohtin. Temperaturat e ulëta bëjnë që enët e gjakut që furnizojnë zemrën të ngushtohen, duke rritur rrezikun e një ataku kardiak, shkruan the FactSite.
Por nuk është vetëm i ftohti që e lodh zemrën. Aktivitetet e rënda fizike, si pastrimi i borës ose të nxituarit nga një festë në tjetrën, gjithashtu rrisin rrezikun e një sulmi në zemër.
Dimri në Neptun zgjat katër dekada
Dimri në Neptun e bën stinën e ftohtë të Tokës të duket si lojë fëmijësh. Ky planet është i teti në sistemin tonë diellor dhe më i largëti nga Dielli.
Për shkak të largësisë, atij i duhen 165 vjet për të bërë një rrotullim të plotë rreth Diellit. Kështu, çdo stinë atje, përfshirë dimrin, zgjat rreth 40 vjet.
Dimri është sezoni i dytë me shpenzimet më të mëdha
Me kaq shumë festa gjatë kësaj stine, njerëzit priren të shpenzojnë më shumë para sesa do të donin. Megjithatë, jo të gjitha shpenzimet shkojnë për pemë Krishtlindjeje, ëmbëlsira dhe dhurata.
Njerëzit shpenzojnë gjithashtu për t’u mbajtur ngrohtë gjatë dimrit. Kjo përfshin pagesat për ngrohje, blerjen e rrobave më të trasha dhe përforcimin e shtëpisë kundër të ftohtit.
Kur i shton të gjitha këto, para se ta kuptosh, ke kaluar buxhetin.
Makinat shpenzojnë më shumë karburant gjatë dimrit
Karburanti dimëror në zonat e ftohta përmban më shumë aditivë për ta bërë të digjet më shpejt, në mënyrë që makina të ndizet më lehtë në të ftohtë. Por kjo nuk është e gjitha, rrugët e rrëshqitshme e bëjnë makinën të punojë më shumë për të lëvizur.
Ajri i ftohtë gjithashtu krijon më shumë rezistencë ndaj lëvizjes.
Së fundi, përdorimi i funksioneve që kërkojnë më shumë energji, si shkrirësit e xhamave dhe sistemi i ngrohjes, rrit konsumin e karburantit.
Jeni më të uritur gjatë dimrit
A ndiheni sikur keni nevojë të hani më shumë gjatë dimrit? Është krejtësisht normale dhe e zakonshme. Gjatë muajve të ftohtë, trupi juaj punon më shumë për t’u mbajtur ngrohtë, veçanërisht nëse jeni të ekspozuar ndaj të ftohtit, gjë që mund të rrisë oreksin.
Por edhe nëse kaloni shumicën e kohës brenda në ambiente të ngrohta, faktorë si orët më të shkurtra të dritës dhe dëshira për ushqime mund t’ju bëjnë të ndiheni më të uritur.
Gripet janë më të shpeshta gjatë dimrit
Sapo vijnë muajt e ftohtë, duket sikur pothuajse të gjithë kanë gripe dhe nuk është vetëm imagjinata juaj. Shkencëtarët shpjegojnë se i ftohti e than hundën, duke ju bërë më të prekshëm ndaj infeksioneve të frymëmarrjes.
Gjithashtu, pasi njerëzit kalojnë më shumë kohë brenda, mikrobet përhapen më lehtë.
Gratë kanë katër herë më shumë gjasa të përjetojnë depresion sezonal gjatë dimrit
Shumë njerëz ndihen më të mërzitur gjatë këtyre muajve të ftohtë. Por përtej “trishtimit dimëror”, rreth 5% e amerikanëve vuajnë nga një formë e rëndë depresioni e quajtur çrregullim afektiv sezonal.
Kjo gjendje quhet gjithashtu depresion dimëror dhe prek më shumë gratë çdo vit.
Sipas ekspertëve të shëndetit, ditët më të shkurtra mund të jenë shkaku. Më pak orë drite prishin orën biologjike të trupit, duke ndikuar në rutinën normale të trurit.
SHBA është përdoruesi më i madh i kripës për shkrirjen e akullit në rrugë gjatë dimrit
Çdo dimër, rreth 60 milionë tonë kripë përdoren në mbarë botën për të mbajtur rrugët pa akull. Kjo i bën rrugët më pak të rrëshqitshme dhe më të sigurta për vozitësit.
Megjithatë, vetëm SHBA-ja shpenzon mbi 20 milionë tonë kripë. Pavarëisht që pastron rrugët, konsiderohet shumë e dëmshme për mjedisin. Kripa depërton në tokë dhe dëmton bimët dhe kafshët.
Produktiviteti i punëtorëve bie ndjeshëm gjatë dimrit
Rreth dy të tretat e punëtorëve në Mbretërinë e Bashkuar pranojnë se ndihen më pak produktivë gjatë dimrit. Ditët më të shkurtra krijojnë ndjesinë se ke më pak kohë për të bërë gjëra.
Për më tepër, i ftohti nuk e bën më të lehtë ruajtjen e humorit të mirë në punë.
Dimri po shkurtohet
Besojeni ose jo, edhe pse mund të duket sikur dimri zgjat pafund, në fakt ai po bëhet më i shkurtër. Në vitet 1950, dimri zgjaste mesatarisht 76 ditë në hemisferën veriore, por deri në vitin 2011, shkencëtarët vunë re se ishte ulur në 73 ditë, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Nuk po ndryshon vetëm stina e ftohtë. Edhe vera po zgjatet. Fatkeqësisht, kjo prirje do të vazhdojë dhe mund të ketë pasoja të mëdha negative për planetin tonë.
Dimri është stinë që ose e do, ose jo, nuk ka mes. Edhe nëse nuk jeni fans, nuk mund ta mohoni se është vërtet i bukur.
Megjithatë, pavarësisht sa shumë mund ta duani dimrin, nuk do të donit ta përjetonit atë për 40 vjet rresht, si në Neptun. Pas disa dekadash, edhe mrekullia më magjike dimërore do ta humbiste hijeshinë e saj./Periskopi/
