Vjedhja masive e votave mes kandidatëve për deputet, aktivizohet Prokuroria e Prizrenit

Kryeziu ka deklaruar për TV Dukagjini se si institucion i Prokurorit të Shtetit kanë monitoruar nga jashtë procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore dhe, teksa ky proces po i afrohet përfundimit, janë konstatuar keqpërdorime të dukshme të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike në rajonin e Prizrenit.
Sipas tij, në cilësinë e kryeprokurorit, ka ndërmarrë veprime me vetiniciativë, duke lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojë personat përgjegjës dhe të sigurojë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndroj i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale”, ka theksuar Kryeziu.
Ai ka shtuar se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore përbëjnë vepra penale dhe se këto raste do të trajtohen pa asnjë kompromis nga organet e drejtësisë.
