Dërgimi i FSK-së në Gaza, Nurellari: Futja e trupave të huaj në një luftë aktive, më shumë se naive

Analisti Adri Nurellari ka bërë me dije se duhet pasur kujdes më dërgimin e FSK-së në Gaza, në kuadër të planit nga “Bordi i Paqes”.
Ai ka vlerësuar se ideja e futjes së trupave të huaj në një luftë aktive pa marrëveshje reale dhe pa horizont politik është më shumë se naive.
“Sot flitet me entuziazëm e krenari për përfshirje të Kosovës në “forcën stabilizuese” të përcaktuar nga i ashtuquajturi “bord i paqes” si forca stabilizuese në Gaza Strip, sikur të bëhej fjalë për pjesëmarrje të xhudistëve të Kosovës në lojërat olimpike të radhës. Por fatura e rëndë njerëzore e KFOR-it duhet të na shërbejë si antidot ndaj këtyre iluzioneve. Ndryshe nga Kosova, në Gaza, armëpushimet thyhen njëra pas tjetrës, konflikti shtrihet për afro 80 vjet dhe, sipas të dhënave të OKB-së dhe autoriteteve shëndetësore lokale, mbi 75 mijë njerëz janë vrarë që nga 7 tetori 2023. Edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të 10 tetorit 2025, dhuna nuk është ndalur; marrëveshja është shkelur vazhdimisht dhe mbi 500 persona kanë humbur jetën edhe pas saj”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Nëse në Kosovë, me mandat ndërkombëtar, me një maksimim konsensusi lokal dhe ndërkombëtar ranë kaq shumë paqeruajtës, atëherë ideja e futjes së trupave të huaj në një luftë aktive, pa besim reciprok, pa marrëveshje reale dhe pa horizont politik është më shumë se naive. Aq më tepër kur në terren ndërhyjnë aktorë të jashtëm si Irani, duke e bërë çdo “stabilizim” një ekuacion shumë më të ndërlikuar. Paqeruajtja nuk është slogan diplomatik as taktikë marketingu por risk i strukturuar dhe potencialisht me sakrificë shumë të madhe njerëzore. Këtë gjë na e thotë shumë qartë ky monument”, ka shkruar ai.
