Trump thotë se preferon ‘diplomacinë’, por ‘nuk do të lejojë kurrë’ një Iran me armë bërthamore

Trump thotë se preferon ‘diplomacinë’, por ‘nuk do të lejojë kurrë’ një Iran me armë bërthamore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të martën se ishte i gatshëm të zgjidhte mosmarrëveshjet midis SHBA-së dhe Iranit përmes mjeteve diplomatike, por nuk do të lejonte kurrë që Republika Islamike të pajiset me armë bërthamore.

“Preferenca ime është ta zgjidh këtë problem përmes diplomacisë, por një gjë është e sigurt: Nuk do të lejoj kurrë që sponsori numër një i terrorizmit në botë, që ata janë me siguri, të ketë një armë bërthamore”, tha ai gjatë fjalimit të tij “Gjendjes së Kombit”, përcjell Telegrafi.

Trump konfirmoi se SHBA-ja dhe Irani ishin në bisedime, megjithatë ky i fundit nuk ishte zotuar të hiqte dorë kategorikisht nga armatimi bërthamor.

“Ne jemi në negociata me ta, ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk i kemi dëgjuar ato fjalë sekrete: ‘Ne kurrë nuk do të kemi një armë bërthamore’”, shtoi ai.

Gjatë mandatit të tij të parë nga viti 2017 deri në vitin 2020, Trump kishte revokuar një marrëveshje bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit të iniciuar nga paraardhësi i tij Barack Obama dhe kishte rivendosur sanksionet ndaj vendit.

Që nga fundi i dhjetorit, Irani ka qenë skenë e protestave antiqeveritare që u shtypën me dhunë nga autoritetet dhe, sipas aktivistëve iranianë jashtë vendit, çuan në vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Kujtojmë se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, u nis për në Gjenevë për të marrë pjesë në raundin tjetër të negociatave indirekte bërthamore me Shtetet e Bashkuara të enjten.

Araghchi, i cili shërben si negociatori kryesor iranian, shoqërohet nga një delegacion i nivelit të lartë.

Pala amerikane, si në raundet e mëparshme, do të udhëhiqet nga i Dërguari Special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Teherani dhe Uashingtoni kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh indirekte nën ndërmjetësimin e Omanit që kur “diplomacia bërthamore” rifilloi muajin e kaluar, pas përpjekjeve të vendeve rajonale, përfshirë Turqinë, për të zvogëluar tensionet./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti